Në humor, por në të njëjtën kohë të motivuar. Kombëtarja e Shqipërisë mbylli përgatitjet në kampin bazë në Kaiserau përpara sfidës debutuese në Euro 2024 të shtunën kundër Italisë në Dortmund.

Silvinjo dhe stafi teknik vijuan sipas programit me një stërvitje, ku ngarkesa ishte mesatare, në mënyrë që të mos rrezikohet ndonjë problem fizik përpara nisjes së Kampionatit Europian. Deri tani, gjerat kanë shkuar në mënyrën më të mirë, ndërsa të 26 lojtarët e grumbulluar janë të gatshëm.

Pas seancës në palestër, “Kuqezinjtë” zbritën në fushë, ndrësa përgatitjet u fokusuan më shumë te loja me top dhe situatat e ndryshme të lojës, me të cilat mund të përballen duke nisur nga ndeshja e parë, teksa si gjithmonë detajist, Sylvinho u përqëndrua te të gjithë repartet, me seanca të dedikuara.

Gjithsesi, trajneri i kombëtares u kujdes edhe një herë për të fshehur çdo indicie për formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë në sfidën e së shtunës kundër Italisë, mirëpo prej ditësh Silvinjo e ka thuajse të qartë në mëndjen e tij skuadrën e titullarëve.

Tekniku i “Legjionarëve” duhet vetëm të “limojë” detajet e fundit, për ato pak balotazhe në portë dhe mbrojtje. Çdo dyshim do të shuhet vetëm në seancën e fundit stërvitore që kombëtarja e Shqipërisë do të zhvillojë në stadiumin e premierës së saj në finalet e Euro 2024.