Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër ambientet e konviktit dhe shkollës së mesme profesionale “Arben Broci”. Ai ka parë nga afër ambientet tërësisht të amortizuara, të cilat do të jenë pjesë e një plani ndërhyrjeje të Bashkisë Shkodër, për rikthimin në identitet të aseteve të saj. Në këtë shkollë, në vitin 2012-të, u ndërtua një godinë tërësisht e re, por e pa vënë në funksion prej 12 vitesh çka ka sjellë edhe amortizimin e saj të plotë.

I shoqëruar edhe nga drejtori i shkollës, kryebashkiaku ka parë nga afër edhe ambientet e praktikës mësimore të kësaj shkolle, e cila përgatit nxënës të gatshëm edhe për tregun e punës, ndërkohë që në bashkëbisedimin me mësuesit e shkollës garantoi se po punohet për hartimin një projekti për rivitalizimin e të gjithë zones.

Shkolla e Mesme Profesionale “Arben Broci”, është konsideruar si një nga pasuritë e arsimit profesional në Shkodër, jo vetëm për hapësirat që ka përreth godinës së shkollës dhe konvikteve për nxënësit e arsimit professional, të cilët pasi kryejnë këtë shkollë janë të gatshëm për tregun e punës, në fushën e mekanikës, për elektriçistë, apo punonjës të IT-të, dëgë të cilat i ofron kjo shkollë e vetme në llojin e saj në veriun e vendit.