Tenori me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj së bashku me artistë të tjerë si Alessandro Safina, Elda Laro dhe Adhurim Grezda rrënqethën emocionalisht publikun shkodran në një natë për t’u mbajtur mend gjatë në sheshin e Shirokës.

“E dashuroj Shkodrën dhe njerëzit e saj” u shpreh gjatë koncertit tenori Lahaj teksa u përlot kur kujtoi nënën e tij që nuk jeton më ndërsa si një melodi e përmallshme shpirti erdhi kënga “Për mu paska kenë kismet”.“Hera e parë që vij këtu dhe jo vetëm vendi është kaq i bukur por edhe publiku ishte i mrekullueshëm në këtë natë. Këto ditë në Shkodër kanë qenë mbresëlënëse dhe ishte përtej pritshmërive të mija. Shpresoj të kthehem ose për pushime ose për një koncert tjetër.”

Rikthim pas shumë vitesh ishte ky koncert për pianisten dhe dirigjenten shkodrane Elda Laro.Këngët shkodrane ishin “kryefjala” e kësaj mbrëmje. Ata u sollën live nga Orkestra Simfonike e Shkodrës nën kujdesin e Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”.

“O moj e bukura Arbëri” ishte një nga momentet kulminante që tenori Lahaj e këndoi përkrah fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”. Ky koncert u mbyll me “Shkodra ka plot dashuri” sepse pakursim e dhuroi atë tenori Ramë Lahaj për të pranishmit në shesh.