Këtë muaj kanë hyrë në fuqi lehtësitë me Gjermaninë, për të gjithë ata që janë të interesuar të studiojnë apo të punojnë në këtë vend. Qeveria gjermane e ka quajtur Karta e Shanseve. Dhe në fakt, shqiptarët vazhdojnë ta kërkojnë shansin e tyre jashtë vendit, në një kohë kur vendet e zhvilluara, për shkak edhe të plakjes së popullsisë së tyre po tregohen agresive në thithjen e fuqisë punëtore.
Sipas të dhënave të Institutit Europian të Statistikave, Shqipëria ishte e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë. Në vitin 2023, ka pasur 331 aplikime për 100 mijë banorë nga Shqipëria përkundrejt 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në Bashkimin Europian.
Por më shqetësues është fakti se ata që largohen jashtë vendit dhe e projektojnë të ardhmen e tyre në emigrim janë kryesisht të rinjtë.
Gjatë 10-vjeçarit të fundit, mbi 64 mijë të rinj nën 18 vjeç nga Shqipëria kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, duke e renditur vendin tonë të pestin në botë pas Sirisë, Afganistanit, Irakut që kanë qenë në luftë dhe Turqisë. Të gjitha këto vende kanë popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.
Po ku preferojnë të emigrojnë qytetarët shqiptarë?
Rezulton se Franca është vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 38% të totalit, pasuar nga Gjermania me 24% të totalit, Italia me 16% dhe Greqia me 10% të totalit të aplikimeve.
Shqiptarët kanë emigruar vazhdimisht në këto tre dekada dhe arsyet kanë qenë kryesisht ekonomike. Por vitet e fundit nuk po largohen më vetëm të papunët apo ata me të ardhura të ulëta, por edhe intelektualët dhe kategoria që e kanë një punë me të ardhura të mira.
Faktorët që po kushtëzojnë largimin janë sistemi i dobët arsimor, sistemi i dobët shëndetësor dhe mungesa e perspektivës.
Për këtë le të analizojmë ecurinë e pagave.
Të dhënat tregojnë se në dy vitet e fundit ka pasur rritje të pagave, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Dhe mungesa e fuqisë punëtore po ushtron aktualisht presion për rritjen e pagave. Por kjo rritje pak është ndjerë në xhepat e të punësuarve, per shkak të inflacionit, por edhe politikës fiskale, thënë ndryshe taksave.
Kjo pasi Shqipëria ka normat më të larta tatimore për punonjësit në rajon, me disa fasha: 0, 8, 13 dhe 25%. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera janë poshtë nesh. Kjo do të thotë se ne i taksojmë punonjësit apo punën më shumë se gjithë të tjerët dhe ky është një faktor që nxit emigrimin. Pasi ty mund të të rritet paga, por ti merr qeveria nëpërmjet taksave.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka nivelin barrën më të lartë fiskale në rajon për profesionet e lira, ku bëjnë pjesë intelektualët.
Profesionistët e lirë taksohen nga 1 janari i këtij viti me 15-23%, më shumë se në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Një arsye më shumë që e ashtuquajtura shtresa e mesme të largohet.
Por faktorët e brendshëm janë njëra anë e medaljes. Ana tjetër janë politikat agresive të vendeve europiane dhe jo vetëm, për të tërhequr fuqi punëtore, të kualifikuar ose jo. Ndjekim një material dhe rikthehemi.