Gjykata e Nju Jorkut shpalli sot (30 maj 2024) fajtor ish presidentin e SHBA-së Donald Trump për akuzat se ka falsikuar të dhënat e biznesit për të fshehur pagesën e bërë ndaj aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, në këmbim të heshtjes gjatë zgjedhjeve të 2016.
Aktorja e filmave për të rritur kishte pasur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin. Juria e Gykatës shpalli fajtor Trump për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij.
Kështu Donald Trump bëhet i pari ish president amerikan që dënohet për një krim penal.
Gjyqi 34 akuza për 130 mije dollarë
Pas diskutimeve dyditore, 12 anëtarët e jurisë e shpallën fajtor Trumpin për të gjitha 34 akuzat me të cilat ngarkohej. Prokurorët thanë se Trumpi ka falsifikuar të dhëna për të fshehur rimbursimet që ka bërë atëherë për avokatin e tij, Michael Cohen, i cili i kishte paguar aktores Stormy Daniels 130.000 dollarë në javët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2016. Në këmbim Daniel nuk do të bënte publike pretendimin e saj se ajo dhe Trump kishin pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më parë.
Prokurorët e akuzuan Trumpin për pjesëmarrje në një komplot të paligjshëm për të minuar integritetin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe një plan të paligjshëm për të ndalur informacionin negativ, i cili përfshinte fshehjen e një pagese për një aktore të filmave për të rritur.
CNN shkruan se masa e dënimit për ish presidentin pritet të komunikohet më 11 korrik, pikërisht 4 ditë përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane, e cila është parashikuar të nisë më 15 korrik, ku dhe ai pritet të nominohet edhe zyrtarisht kandidat për president.
Trump rrezikon deri në 4 vite burg, megjithëse për krime të tilla janë parashikuar dhe dënime më të ulëta, gjoba ose liri me kusht.
‘Jam i ndershëm’
Vetë Trump, 77 vjeç, është deklaruar i pafajshëm dhe mohuar çdo kontakt seksual me Daniels duke argumentuar se pagesat e kryera ndaj avokatit Cohen ishin përcaktuar saktë në të dhënat e kompanisë, si shpenzime ligjore.
Para jurisë Trump pretendoi se ishte “njeri i ndershëm” dhe se “aktgjykimi i vërtetë do të jepej nga populli më 5 nëntor”, duke iu referuar datës të zgjedhjeve presidenciale dhe pritet të apelojë vendimin.
Vendimi i gjykatës fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur zoti Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.