Një raport i publikuar ditën e djeshme nga Bashkimi Europian mbi cilësinë e ujërave të larjes në plazhe, liqene e lumenj në 27 vendet e Unionit duke përfshirë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit e ka renditur Shqipërinë të fundit në listë sa i takon pastërtisë së ujërave të larjes qofshin këto në det, liqen apo lumenj. Ndërkohë ujërat më të pastra në Europë u përkasin 4 vendeve: Qipros, Austrisë, Kroacisë dhe Greqisë.

Nga 119 lokacione në Shqipëri, vetëm 41.9% e ujërave ku lahen njerëzit janë të një cilësie ekselente. Pjesa tjetër është klasifikuar e një cilësie “të mirë”, “të mjaftueshme” ose “të varfër”

Ky raport ka analizuar gjatë vitit 2023 ujërat e larjes përkundrejt dy parametrave specifikë të rëndësishëm shëndetësorë: Përmbajtja e bakterit Escherichia Coli dhe Enterokoket e zorrëve.

Për publikimin e rezultateve mbi pastërtinë e ujërave u morën mostrat nga 21766 lokacione ujëra banje të përcaktuara zyrtarisht në 27 Shtetet Anëtare të BE-së (BE-27), 119 në Shqipëri dhe 196 në Zvicër. Po ashtu rezultatet e raportit bazohen në analizën e të dhënave të raportuara nga Shtetet Anëtare të unionit për sezonet 2020-2023.