Shkodra vijon traditën e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Edicioni i 62-të, këtë vit vjen me më shumë ngjyra dhe energji, si kurrë më parë. Nën moton “Ndezim yjet”, festivali do të zhvillohet në datat 30, 31 maj dhe 1 qershor pranë Teatrit “Migjeni” në Shkodër.
Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë, organizuar nga Bashkia Shkodër, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alia” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe partnerëve të tjerë, është i lidhur pazgjidhshmërisht me qytetin e Shkodrës.
Me pjesëmarrje në garë të fëmijëve këngëtarë jo vetëm nga Shqipëria, ky festival do ta kthejë Shkodrën në kryeqendrën e fëmijëve në 3 ditë.
Kjo ngjarje kulturore që i ka rrënjët këtu e 62 vite më parë, nuk është thjeshtë një festë fëmijësh e një garë e këngëve për ta, por edhe një mundesi për të treguar mikpritjen e qytetit të Shkodrës dhe ndjeshmërinë e theksuar ndaj artit.
Nga kujdesi i veçantë i Prenkë Jakovës, për përgatitjen e këtij festivali për herë të parë në vitin 1963 dhe pas viteve 90’ nën kujdesin e dirigjentit Kujtim Alia, tradita vijon, dhe ky festival ka mbi supe peshën e madhe për të ardhur gjithnjë e më i bukur.
Jo vetëm të vegjlit, por i gjithë qyteti do të përjetojë 3 netë ritmike nën tingujt dhe ngjyrat e këngës së Festivalit të Fëmijëve, ku janë të ftuar të gjithë për ta shijuar.