Policia kufitare në portin e Durrësit ka ushtruar kontroll në një fugon me targa angleze, pas dyshimeve për sende të paligjshme dhe nga skanimi u zbulua se furgoni i mallrave kishte të fshehura 7 pako kokainë.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, duke iu referuar burimeve policore thotë se gjatë kontrollit të detajuar kokaina u gjet brenda fundit të dyfishtë të krijuar në këtë furgon mallrash, poshtë sediljes së shoferit.
Kokaina ishte paketuar në qese vakumi për mos t’u kuptuar nga qentë anti-droge.
Në prangat e policisë deri më tani kanë rënë dy persona 38-vjeçari Arjan Doci dhe 39-vjeçari Mentor Çuni, ndërkohë që po vijojnë hetimet për të implikuar të tjerë në këtë rrjet trafiku. Ata rezultojnë të jenë kushërinj, djem tezesh.
Top Channel mëson se furgoni ku u gjet kokaina i përkiste kompanisë “Bledi Trans”, e cila transportonte sende dhe pako nga komuniteti shqiptar në Angli dhe i sillte ne Shqipëri. Furgoni ndiqte itinerarin Shqipëri – Itali – Angli.
Për rastin hetimet donte zhvillohen në të dy vendet. Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e shtetit ka njoftuar homologët anglez për të marrë më shumë të dhëna se kush qëndron pas kompaninë “Bledi Trans” e cila rezulton e regjistruar në Angli.