Ekspertja e ekonomisë, Romina Radoshiq, ka folur për minimumin jetik i cili vijon ende në Shqipëri të jetë i pa miratuar. Radoshiq thotë se miratimi është një domosdoshmëri pasi kostoja e jetesës është shumë e lartë në vend dhe të ardhurat më të ulëta në rajon. Duke u ulur informaliteti dhe evazioni fiskal nga ana e punonjësve të administratës, ekspertja thotë se kjo gjë bën më të lehtë për qeverinë që të miratojë minimumin jetik. Nga ana tjetër, Radoshiq jep lajmin se kur do të rriten pensionet. Sipas saj indeksimi i pensioneve që pritet në muajin tetor për këtë vit, pritet të jetë më i lartë krahasuar me indeksimin e vitit 2021.

– Pse gjykoni se nuk është miratuar minimumi jetik deri më sot, ka qene prej faktit të mungesës së vullnetit politik apo për shkak të kostove të larta që kishte miratimi i minimumit?

Nuk mendoj se ka qenë çështje e mungesës së vullnetit politik pasi kjo do të ishte një armë shumë e fortë ku do iu jepte më shumë kredite partive politike, por çështja është se çdo individ e ka shumë të lehtë të flasi se përse nuk është përcaktuar. Megjithëse në Shqipëri është domosdoshmëri përcaktimi i minimumit jetik pasi kostot e jetesës janë shumë më të larta sesa të ardhurat. Arsyeja përse nuk është përcaktuar akoma është fakti se do t’i kushtonte shumë buxhetit të shtetit minimumi jetik e nga ana tjetër shtetit po i kushton edhe largimi apo problemet qe ka skema e ISSH-së ku vetë ministria e Financës po financon këtë skemë. Nëse do të përcaktojmë dhe minimin jetik, do të t’i kushtonte shtetit ku për pasojë do të sakrifikonte investimet ose taksapaguesit duke rritur edhe taksat. Minimumi jetik duhet të përcaktohet me politik bërës dhe ekspertë të fushës për të parë kostot dhe përfitimet, dhe të jetë përcaktim real jo fiktiv. Kostoja e jetesës e lartë si në Europë por të ardhurat i kemi më të ulta se në Ballkan. Patjetër qe qeveria ka mundësi si të përfitojë për të ndërhyrë që të përcaktojë minimumin jetik, mjafton të luftojë evazionin fiskal dhe informalitetin pasi paratë aty janë.

-Por kjo nuk është një betejë e lehtë?

Patjetër, por nëse do të merret me vullnet puna dhe nëpunësit e administratës do të jenë aq korrekt sa do ta marrin me seriozitet marrjen e detyrës, mendoj se do të jetë shumë herë më e lehtë dhe do të kemi një reduktim të informalitetit dhe evazionit fiskal.