Në vitin 2024, kërkimi për të drejtat e njeriut dhe barazinë në Shqipëri shfaqet jo thjesht si një domosdoshmëri procedurale, por si një imperativ moral, që sfidon thelbin e shoqërisë tonë. Sakaq, shoqëria jonë, kjo doemos për mungesën e angazhimit serioz të qeverisë dhe institucioneve kompetente, përballet me dilema të thella.

Më lejoni të elaboroj ato më “uluritëset”, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti që Shqipëria të renditet në nivelet më të ulëta të performancës demokratike.

Dhe ky nuk është një aksident fati, por rezultat i një filozofisë qeverisëse të mazhorancës, që reflekton qartazi neglizhencë dhe një mospërfillje të pacipë për llogaridhënien dhe transparencën. Përleshjet e brendshme të mazhorancës, “polifonisë së korrupsionit”, që përditë kacafyten në daljet e tyre publike se kush është më shumë i përlyer e i zhytur në llucën e korrupsionit, të kujtojnë një teatër politik – një lojë mjegullimi – ku synohet që e vërteta të mbytet në kakofoninë e pasinqeritetit dhe gënjeshtrës.

E në fakt edhe pse e vërteta ulëret, asnjë veprim konkret për t’u distancuar dhe dënuar politikisht, shkeljen më të madhe të të drejtës së shqiptarëve.

Është e drejtë elementare transparenca dhe llogaridhënia e përdorimit të taksave të shqiptarëve. Por edhe kur kjo transparencë nuk bëhet, dhe falë këtyre drejtuesëve që i përkasin rilindjes së autokracisë dhe jo demokracisë, Shqipëria vijon e vijon të vlerësohet si një shtet me demokraci të brishte apo hibride.

Madje, për ironi të fatit edhe kur publikohen disa shifra, kjo Qeveri bie në grackën e diskriminimit të qëllimshëm rajonal. Shifrat e tyre, janë e vërteta që therr. E më shumë e vuajnë Bashkitë e veriut.

Nga 161 milionë euro, vetëm 9.3 milionë euro, ose 6% e fondeve janë investuar për Shkodrën, Dibrën, Kukësin dhe Lezhën. Edhe një minoren e kupton se cili është përkushtimi i kësaj Qeverie për investime në bashkitë e veriut. Në këtë rast nuk ka se si mos të lexohet si një pabarazi rajonale.

E drejta për transparencë dhe detyra e Qeverisë për të justifikuar administrimin proporcional të burimeve publike janë parime po aq të lashta sa vetë demokracia.

Por le të vijojmë, të shohim dhe të kuptojmë arsyen e mosarsyes, që rezulton në një ngërç institucional.

A është në gjëndje mazhoranca – e zhytur në skandale korrupsioni – të na japë një arsye të qënësishme, se përse ende nuk kemi emërimin e drejtuesve të Institucioneve që bëjnë pjesë te pushtetet e bardha?

E kam fjalën për: Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Është e qartë që kjo mungesë veprimi përfaqëson një gërryerje skandaloze e shenjtërisë së drejtësisë dhe paanshmërisë.

Kjo thellohet edhe më tej me dekonsiderimin e qëllimshëm të rekomandimeve të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në fakt nuk është thjesht një gabim, por një humnerë ku humbet shpresa dhe vihet në dyshim besimi kah agjencive të mbrojtjes.

Por duke iu përmbajtur kornizave kohore, se në fakt Grupi Polifonik i Korrupsionit, i jep zë filozofisë së tyre KÇK në cdo nivel qeverisje, gjithkush prej nesh që ndien peshën e përgjegjësisë së misonit që na është ngarkuar nga zgjedhësit tanë, mund të rreshtojnë një gamë problematikash të identifikuara lehtësisht, që nuk janë as në periferinë e vëmendjes qeveritare, se sic e dimë të gjithë, janë të zënë me punë të mëdha, punë 5D-sh apo me retorika të gjata të pashoqëruara nga veprime konkludente. Kurimi i plagës së Korrupsionit, sipas këtyre, është me më shumë korrupsion dhe për popullin kanë formulën e pingpongut “përgjegjësia është individuale”.

Mund të ceken edhe shumë probleme të tjerë, sic janë: efikasiteti i dobët i ligjeve që synojnë mbrojtjen nga ato që quhet “praktika të dëmshme”, pra që cënojnë interesin më të lartë të fëmijëve. Padyshim ky fenomen vë në pah dështimin tonë kolektiv për të endur një sixhade sigurie për ata, zërat e të cilëve ende nuk janë formuar plotësisht.

Është pothuajse herkuliane të flasësh për tragjeditë që pasqyrojnë frakturat brenda shoqërisë sonë, siç është ngjarja e tmerrshme në Shkodër ku një nënë mori jetën e saj dhe të fëmijëve të saj. Ky realitet i zymtë nxjerr në pah me dhimbje mungesën e përgjegjësisë për dështimet institucionale, një dështim që shtrihet në mosnjohjen e vërtetë të gjendjes së vështirë të familjeve shqiptare që jetojnë në margjina.

Qeverisja qendrore dhe vendore u ofrojnë grave një siguri juridike ose sociale të pamjaftueshme, quasi inekzistente. Gratë e këtij vendi kacavirren pas shpresës së zbehtë se, diku brenda labirinteve burokratike, ato mund të gjejnë një derë të hapur ku ofrohet mbështetje e pakushtëzuar për të zbutur frikën e tyre, e të besojnë hallet e tyre.

Si mund të mos ngrihet zëri kur diskutohet për pabarazinë gjinore në punësim? Mungesa e burimeve për barazinë gjinore tregon jo thjesht një mbikëqyrje logjistike, por një miopi më të gjerë, që përshkruan vizionin e kësaj qeverie.

Po aq kritike është nevoja për të trajtuar qasjen anakronike ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore, një pengesë sistematike për dinjitetin njerëzor. Barazia gjinore dhe mbrojtja e fëmijëve nuk duhet të zbresin në periferi të politikëbërjes, por të përkrahen si gurë themelorë të një shoqërie progresive dhe humane.

Këto janë udhëkryqet ekzistenciale para nesh, ku më shumë se progresi, kërkohet një rilindje, por jo si kjo rilindja e mazhorancës, që edhe rrathët e Dantes janë të pamjaftueshëm për t’i përshkruar mëkatet e tyre kundër të mirës dhe interesit të përgjithshëm.

Nevojitet me doemos një riimagjinim i shoqërisë dhe ekskluzivisht i qeveritarëve të saj, një riimagjimin të thurrur me fijet e barazisë dhe drejtësisë.

Duke u përballur me këto çështje urgjente, që nuk duhet të harrojmë se ato përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut të sfidave të panumërta të shqipatrëve, që i ka zënë halli me këtë mazhorancë që mirë se iu vjedh vullnetin e tyre politik cdo 4 vite, por i vjedh e i zhvat në përditshmërinë e tyre, por cënon të drejtat e tyre kushtetuese dhe pengon kontributet e tyre drejt integrimit evropian.

Programi i Bashkimit Evropian për Qytetarët dhe Barazinë, që synon një shoqëri ku të drejtat dhe liritë themelore jo vetëm që ruhen, por edhe lulëzojnë, doemos që është i shumëpritur. Megjithatë, dukshëm objektivat e Marrëveshes hasin në erërat mbizotëruese të autokracisë, ku arroganca zëvendëson detyrën, dhe shqiptarët përballen me disonancën e qeverisjes, që e redukton popullin e tij në pengje të thjeshtë në një lojë politike.

Cfarë ka për të thënë kjo mazhorancë e polifonnisë së korrupsionit, për Teatrin Kombëtar të munguar? A ka gjë për të thënë?! Apo me lopatat e Bashkisë të presim të na ndërtohet ndonjë kullë 5D, ku pastaj arti të luhet në bodrumet e kullës, sikundër Ministri aktuat i ekonomisë gjeti ekonominë e vendit ne bodrumet e institucionit?

Cfarë ka për të thënë Rilindja e Mirelës, që na del serbes-serbes, dhe me paturpësi, kërkon të hedhë hi syve shqiptrëve, për pasurinë e përbashkët kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike, madje pasuri e trashëgimisë botërore.

Sipas Rilindjes që ajo përfaqëson kanavacën e rigjallërimit ajo e njollosi nuancat e mashtrimit. Me një hartë të kësaj Zona të Mbrojtur, me hartën e Parkut Kombëtar të Butrintit, ajo mbronte me zell tekat e Rilindjes, që me gërshërët e interesit vetjak dhe korrupsinit, ia hoqi një pjesë kësaj harte.

Bëmat korruptive të kësaj Qeverie janë të pafundme. Kërkojmë një bilanc të përfitimeve të drejtpërdrejta, që janë apo nuk janë materializuar nga kjo Marrëveshje.

Andaj, pa hezitim, natyrshëm konkludojmë se qeveria shpërfill jo vetëm objektivat e Marrëveshjes, por edhe thelbin e administrimit të saj.
#nëkrahtëqytetarëve
#shkodraepara