Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këtë të premte paradite një aksion të madh në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Kapitali.al shkruan se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar kompjuterë dhe telefona në kuadër të një hetimi për korrupsion.

Sipas medias bëhet fjalë për tenderin laboratorëve smart në shkollat 9 vjeçare. Ky tender u vesh me dyshime të forta për parregullsi, kur në datën e parashikuar të garës AKSHI ndryshoi kriteret. Me një fond limit prej 1.66 miliardë lekësh ose 16.5 milionë euro, tenderi parashikonte pajisjen e rreth 216 shkollave në rang vendi me klasa laboratorike. Këto klasa përmbanin nga 14-19 lap top dhe pajisjet e tjera në funksion të tyre. Pra rreth 80 mijë euro kosto për çdo klasë, një çmim dukshëm i fryrë.

Pas ndryshimit të kritereve, në ditën e garës, tenderi u fitua nga kompania Albascan, një firmë e cila është ngjitur rrufeshëm duke u shndërruar në një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve të AKSHI-t, edhe pse në vitin 2017 kjo kompani kishte një xhiro të papërfillshme.

Me sa duket tenderat e AKSHI-t tashmë kanë hyrë në orbitën e SPAK. Hetuesit e BKH kanë sekuestruar një sërë kompjuterash dhe materialesh në cilësinë e provës. Veç këtyre janë sekuestruar edhe telefonat e disa punonjësve, ndërkohë që një tjetër procedurë e cila po verifikohet është ajo e sistemit elektronik të burgjeve, që u përfshi nga skandali, kur në një burg të vendit ndodhi vrasje me armë zjarri dhe u konstatua se kamerat nuk punonin prej muajsh, edhe pse paratë paguheshin tek kompania private.

AKSHI është një nga institucionet më të përfolura për korrupsion në vend. Ky institucion vitet e fundit është përfshirë në disa skandale të madhe, që nga cënimi i të dhënave personale të qytetarëve e deri tek dyshimet për përdorimin e tyre për qëllime politike.