Gjykata Europiane e Drejtësisë ka përcaktuar se të dhënat e përftuara nga platformat Sky/Encrochat nuk mund të përdoren si prova në procese penale, megjithatë ato konsiderohen si indicje, ose si një formë për kërkimin e provës, e njëjtë si përgjimi procedurial.

Gjykata e Drejtësisë, në një opinion të shprehur në 30 Prill 2024, shprehet se të dhënat komunikuese mes këtyre platformave mund të jenë pjesë e një procesi penal, nëse janë marrë në rrugë proceduriale nga autoritetet gjyqësore të një vendi të Bashkimit Europian dhe janë përcjellë po në rrugë proceduriale në një shtet tjetër të BE-së, si edhe të jenë konfirmuar nga një gjyqtar lokal (i vendit pritës).

Opinioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë përsërit gjithashtu se autoritetet gjyqësore duhet të mbajnë parasysh në përdorimin e mesazheve Sky normat e përgjithshme mbi përgjimet, ku subjekti duhet të jetë i identifikuar dhe jo “i përgjithshëm”.

Kjo pikë e gjykatës së Luksemburgut pritet të krijojë debate në radhët e prokurorëve dhe avokatëve në vendet e Bashkimit Europian, të cilat kanë në zhvillim procese penale me grupe kriminale të zbuluara nga komunikimet Sky/Encrochat.

Megjithatë, Shqipëria është disi larg këtij diskutimi.

Vendimi/opinioni i Gjykatës Europiane të Drejtësisë ka kuptim vetëm për vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që vendi ynë nuk është pjesë e komunitetit dhe ajo gjykata nuk ka juridiksion në Shqipëri.

Po ashtu, në proceset penale që po zhvillohen në Shqipëri, të dhënat e siguruara nëpërmjet letër-porosive për Sky/Enchrochat nuk janë konsideruar si provë konkrete, por si një indicje e mjaftueshme për të aplikuar masat e sigurimit “arrest në burg”, si edhe për të zhvilluar hetime të mëtejshme, bazuar në komunikimet elektronike me këto platforma.

Kjo do të thotë që mesazhet “Sky” vlerësohen se janë të mjaftueshme për aplikimin e masave shtrënguese ndaj personave të dyshuar për përfshirje në grupe kriminale dhe ndërkohë po zhvillohen hetime të zgjeruara ndaj disa personave të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale.

Për autoritetet shqiptare, një interes të veçanta pritet të ketë vendimi i një tjetër çështjeje që po zhvillohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburg).

Një shtetas turk ka kundërshtuar vendimin e autoriteteve gjyqësore të vendit të tij, pasi e kanë arrestuar në bazë të komunikimeve Sky/Encrochat.

Turqia, ashtu si Shqipëria, nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Ndaj, vendimi i pritshëm i Strasburgut për rastin e shtetasit turk mund të përdoret si precedent edhe për zhvillimet në Shqipëri.

Por, pavarësisht çdo lloj vendimi që mund të marrë Strasburgu për shtetasin turk, ai nuk do të jetë drejtëpërdrejtë i zbatueshëm për autoritetet shqiptare.

Në rast se Strasburgu vendos në favor të shtetasit turk dhe rrëzon përdorimin e mesazheve në platformat Sky/Encrochat, ai vendim do t’i kundërdrejtohet vetëm Turqisë.

Ndërsa, pretendimet e shtetasve shqiptarë për papërdorshmërinë e këtyre komunikimeve, duhet të paraqiten vetë në Strasburg, por pasi të kenë kaluar fillimisht të gjithë hallkat gjyqësore vendase.

Pra, vendimi i fundit i Gjykatës Europiane të Drejtësisë nuk duket se u jep shumë shpresë të arrestuarve në Shqipëri për lirim nga burgu. Të paktën, jo tani shpejt.