Apeli i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion vendosi të rrëzojë sërish kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Berisha dhe Malltezi do vijojnë të qëndrojnë në “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve për akuzat që rëndojnë mbi ta, në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani.

Avokati Genc Gjokutaj në një deklaratë për media tha se SPAK po sillet si një parti politike, ndërsa e quajti skandal, faktin që sipas tij nuk ka asnjë fakt të ri dhe se Berisha vijon të mbetet në ‘arrest në shtëpi’. Ai gjithashtu deklaroi se luftën do ta fitojnë.

“Të njëjtat fakte, kishte një shtesë për ndërtimet që kishin apo jo mbrojtje nga zjarri. U shty sepse janë shumë fashikuj që duhet t’i prezantojnë. Është i njëjti tekst, ky është një skandal më vete ndërsa lideri i opozitës vijon në arrest në shtëpi, pa u kryer hetimi. Ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave, janë humbur disa beteja, por nuk është humbur lufta. Këtë luftë ne do ta fitojmë, nuk e di se kur. Në gjyq është dyluftim. SPAK po sillet si një parti politike, po ndjekim rrugën ligjore, si i vetmi mjet i sigurt, për të na dërguar te e drejta. Këta bëjnë sikur s’dëgjojnë, por në fund do ta marrin përgjigjen”, tha Gjokutaj.