Rritja e turizmit ndërkombëtar në Shkodër, ishte fokusi forumit të mbajtur në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pjesë e tij ishin pedagogë të këtij universiteti, specialistë të fushës, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë, Benet Beci.

Ky i fundit në fjalën e tij theksoi se Shkodra me këto resurse të jashtëzakonshme ka nevojë për bashkëpunimin e të gjithëve për t’u bërë një zonë elitare për këtë sektor.

Akademikët e universitetit u ndalën tek prioritetet dhe bashkëpunimi që duhet për t’iu përgjigjur numrit në rritje të turistëve që vizitojnë Shkodrën.

Në këtë forum u dakortësua për bashkëpunime të ngushta mes ekspertëve të fushës, Universitetit dhe Bashkisë Shkodër, në krijimin e mekanizmave dhe ndërhyrjeve konkrete që e kthejnë sektorin e turizmit në një motor për zhvillimin ekonomik të rajonit të Shkodrës.