Një prej monumenteve historike dhe kulturore në Shkodër më të vizitueshme, “Ura e Mesit”, i është nënshtruar rehabilitmit.
Ky investim përfshin pjesën hyrëse të urës për sistemimin me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj. Pjesë e projektit është edhe ndriçimi i Urës së Mesit. Gjithashtu, ndërhyrje është bërë edhe në pjesën shkëmbore në të dyja bazamentet e harkut të madh të Urës së Mesit.
Me gjatësi 108 metra, gjërësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.