Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka patur një përplasje të ashpër gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend me deputetin e pavarur, Agron Shehaj.
Ky i fundit i kërkoi Manjës të jepte dorëheqjen nga posti i ministrit duke e akuzuar se ka gënjyer në deklaratën e tij ku shprehej se ish-zyrtarët e arrestuar nga SPAK, nuk do të përfitonin nga amnistia penale. Sipas Shehajt, i cili u bazua nga shifrat e SPAK, amnistia liroi nga burgu rreth 40 zyrtarë ndërsa uli dënimet për 60 të tjerë.
Gjatë momentit kur Shehaj i kërkonte të jepte dorëheqjen Manja mësohet t’i jetë drejtuar me fjalët “T’i pres veshët”.
Ndërsa pasi mori fjalën për replikë, Manja e quajti Shehajn evazorin më të madh në vend, duke e akuzuar se sponsorizon portale që shkruajnë për interesin e shteteve dashakeqe ndaj vendit tonë.
Debati mes Manjës dhe Shehajt:
Shehaj: Ishte e qartë se ministri Manja po gënjente. Me pak fjalë ministri dhe qeveria kanëmashtruar e gënjyer në mënyrën më të pamoralshme opinionin publik. Në një vend normal Manja do të jepte dorëheqjen. Para tre javësh vjen këtu e thotë se nuk do përfitojë asnjë i korruptuar, pas disa javësh SPAK-u thotë se kanë përfituar. Por ti Manja mos e vrit mendjen, nga ti nuk e pret njeri.
Manja flet nga vendi
Shehaj: Unë jam hajdut? Ti liron të korruptuarit! Do thuash se nuk ishte e vërtetë? Pse gënjeve, pse nuk jep dorëheqjen. A je burrë? Jep dorëheqjen! Erdhe këtu dhe gënjeve, jep dorëheqjen, mashtrues. Nuk të vjen mirë ë?
Manja ndërhyn nga vendi
Shehaj: Do më shkulësh mua veshët ti? Ja ministri i Drejtësisë që liron të korruptuarit, gënjen dhe vjen këtu e nuk ka çfarë thotë.
Manja: Tani që amnsitia mori 116 vota, vjen këtu edhe na del si kalorës i ndershmërisë dhe luftës kundër korrupsionit kur në fakt ky shtet duhet të merret seriozisht me ty. Sepse je evazori më i madh në këtë vend që sponsorizon portale dhe shkrime që çojnë ujë në mullirin e shteteve dashakeqe ndaj Shqipërisë. Nuk do jetë e largët dita kur ajo fytyra jote prej ëngjëlli të dalë ashtu siç është në të vërtetë.