Prej disa ditësh është hedhur për konsultim publik projektligji për shëndetin seksual dhe riprodhues ku do të merren mendimet e profesionistëve të fushës, grupeve të interesit si dhe organizatave jofitimprurëse. E kur bëhet fjalë për familjen, një pjesë të rëndësishme kanë edhe komunitetet fetare në vend.

Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare kryesore të vendit shprehen njëzëri se ky projektligj cenon dinjitetin njerëzor dhe mbi të gjitha atë të grave dhe vajzave.

Ylli Gurra (Ish-Myfti i Tiranës): Feja në themel dhe bosht të saj ka humanitetin dhe dinjitetin e njeriut dhe aq më tepër të figurës femër. Një pjesë e grave, zonjave në Shqipëri do t’u jepet mundësia që të jenë pjesë e sjelljes në jetë të një fëmijë, djalë apo vajzë, në këtë mënyrë kjo është jashtë çdo aspekti njerëzor.

Dom Mark Pashkja (Zëdhënës i Kishës Katolike): Nuk duhet të harrojmë se qëllimi bazë i Kishës Katolike është respektimi i dinjitetit të njeriut. Në pamje të parë, ky ligj ka disa pika mjaft problematike, sa i përket nënave surrogate dhe sterilizimit, apo abortit. Një konceptim jo i drejtë edhe i identitetit të nënës, që është ndër baziket, njerëzore.

At Nikolla Kodheli (Përfaqësues i Kishës Ortodokse Shqiptare): Nuk është një ligj që cenon komunitetet fetare, por vetë shoqërinë tonë. Ajo ndërtohet me disa baza dhe organizmi më i rëndësishëm është familja.

Kur krijohen propozime të ndryshme ligjore duhet të merret parasysh realiteti shqiptar dhe jo i vendeve të huaja theksojnë përfaqësuesit e feve.

Dom Mark Pashkja (Zëdhënës i Kishës Katolike): Është momenti që pa dallime të formojmë kauza edhe politike për popullimin dhe shumëfishim të atyre që dëshirojnë të jetojnë në këtë vend, jo të ndërtojmë qasje që e dëmtojnë këtë realitet.

Ylli Gurra (Ish-Myfti i Tiranës): Të jenë me këmbë në tokë…Duke parë realitetin jo vetëm fetar, por shqiptar, tradicional. Dhë në fund të fundit, mbi të gjitha këto atë human në raport me kalimin në ligj ose jo të një projektligji të tillë.

At Nikolla Kodheli (Përfaqësues i Kishës Ortodokse Shqiptare): Nënë surrogate është diçka e dorës së dytë, e papërfillshme, jo e mirë. Vetë fjala fyen personin, fyen njeriun. Çfarë është ky ligj dhe çfarë cenon ai, për fenë, shoqërinë dhe çdo qelizë të saj?

Projektligji për “Shëndetin Seksual dhe Riprodhues” ka ngjallur shumë debate qëkur është hedhur për konsultim publik, e duke marrë shkas nga kjo edhe Komunitetet e Besimeve Fetare pritet të kenë një reagim të përbashkët zyrtar shumë shpejt.

Klan News