Një 37 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi kreu manovra të rrezikshme me automjetin që sapo kishte vjedhur. Mësohet se i riu kërkohej edhe nga policia e Durrësit për vjedhje.
“Kreu manovra të rrezikshme, me automjetin që sapo kishte vjedhur, arrestohet 37-vjeçari. Nga verifikimet rezultoi se ai ishte në kërkim nga Policia e Durrësit, gjithashtu për vjedhje. Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Shkodër, sapo është njoftuar se shtetasit I. D., 70 vjeç, i kishin vjedhur automjetin tip “Ford”, në lagjen “10 Korriku”, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat, u vu në pranga shtetasi R. Sh., 37 vjeç. Ai u kap në flagrancë teksa kryente manovra të rrezikshme, me automjetin e vjedhur. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës, për veprën penale “Vjedhja”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al