Qeveria ka bërë disa ndërhyrje në ligjin për turizmin duke i dhënë formë Agjencia Kombëtare e Turizmit, kategorizimit të strukturave akomoduese, si dhe duke përcaktuar masat e gjobave për shkeljet administrative.
Do të jetë Agjencia Kombëtare e Bregdetit (“AKB”) i cili do të jetë person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për turizmin, që do të ketë si qëllim mbrojtjen dhe ndjekjen e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare dhe të brigjeve të brendshme, monitorimin, inspektimin dhe kontrollin e veprimtarive turistike në territorin e Shqipërisë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Kategorizimi i strukturave akomoduese
Ndryshimet në ligj të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi, parashikojnë se çdo sipërmarrës turistik, që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese, brenda 30 ditëve nga regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për ushtrimin e veprimtarisë si strukturë akomoduese, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.
Individi qiradhënës për kategoritë “Apartament”, “Vilë” ose “Dhomë”, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, paraqet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin kërkesën për pajisjen me certifikatë kategorizimi.
Certifikata e kategorizimit të strukturës akomoduese është pa afat dhe regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit, që administrohet nga ministria përgjegjëse për turizmin.
“Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat për numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën. Çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të krijojë një ambient të posaçëm e të veçuar për grumbullimin e mbetjeve dhe largimin e tyre, sipas rregullave të parashikuara në aktet e nxjerra nga pushteti vendor. Ministri përgjegjës për turizmin miraton rregulloren për kushtet, kriteret, afatet, si dhe procedurën për kategorizimin e strukturave akomoduese.”, thuhet në ligjin e ri.
Klasifikimi i strukturave akomoduese
Secila kategori e strukturave akomoduese klasifikohet me sistem të veçantë, e shoqëruar me shenjat dalluese përkatëse, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
a) “Bujtinë” standard;
b) “Fjetinë” standard, komfort;
c) “Kamping” standard;
ç) “Hotel” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
d) “Motel” standard, komfort, superior;
dh) “Resort” tre yje, katër yje, pesë yje;
e) “Qendër kurative” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
ë) “Fjetje dhe mëngjes” standard, komfort, superior; f) “Apartament” standard;
g) “Bllok apartamentesh” standard;
gj) “Vilë” komfort, superior;
h) “Hotel i shpërndarë ” standard;
i) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore” standard;
j) “Dhomë” standard.”
Agroturizmi
Subjekti për të ushtruar veprimtarinë e agro-turizmit duhet të plotësojë kriteret për fermat e lidhura me veprimtarinë e agro-turizmit, strukturën pritëse të ndërtuar ose të asaj që parashikohet të ndërtohet, ofrimin e ushqimeve dhe pijeve të përgatitura me ingredientë që vijnë nga vetë ferma ose nga prodhuesit lokalë, si dhe ofrimin e aktiviteteve argëtuese/edukative.
“Veprimtaria e agro-turizmit certifikohet nga ministria përgjegjëse për turizmin, nëpërmjet certifikatës paraprake për ndërtimin e agro-turizmit dhe certifikatës për ushtrimin e veprimtarisë së agro-turizmit. Kriteret, dokumentacioni dhe procedurat për certifikimin e veprimtarisë së agro-turizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të ti, si dhe modeli i certifikatës miratohen nga Këshilli Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin dhe të ministrit përgjegjës për zhvillimin rural.”, thuhet në ligjin e ri “Për Turizmin”.
Kundërvajtjet administrative
Në ligjin e ri parashikohen edhe gjoba në lidhje me kundërvajtjet administrative, në rastin kur ato nuk përbëjnë vepër penale.
Në lidhje me kundërvajtjet administrative ato dënohen me gjobë si më poshtë: a) ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizimi dënohet me gjobë bazuar në numrin e dhomave si më poshtë:
nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000–50 000 lekë;
nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;
nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë;
nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;
mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.
“Përdorimi i paautorizuar apo i gabuar i shenjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit dënohet me gjobë 200 000 lekë, ndërsa ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:
deri në 5 dhoma 50 000 lekë;
mbi 5 dhoma 100 000 lekë.
mosrespektimi i kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së agro-turizmit dënohet me gjobë 100 000 lekë”, përcaktohet në ligjin e ri.
Ndërsa ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse do të dënohet me gjobë 200 000 lekë, kurse ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse dënohet me gjobë 300 000 lekë
“Ushtrimi i veprimtarisë, pa plotësuar kërkesat e përcaktuara dënohet me gjobë 100 000 lekë, ndërsa ushtrimi i veprimtarisë pa kontratë ose pa plotësuar të dhënat bazë, dënohet me gjobë 100 000 lekë. Mosrespektimi i detyrimit për mbajtjen në mjetin e transportit të kontratës së lidhur mes transportuesit turistik dhe operatorit turistik apo agjencisë së udhëtimit, dënohet me gjobë 50 000 lekë. Ushtrimi i veprimtarisë si stacion plazhi jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë dënohet me gjobë 150 000 lekë. Mosplotësimi i kërkesave dhe kushteve për vrojtuesin e plazhit dënohet me gjobë 100 000 lekë, kurse mungesa e vrojtuesit të plazhit në stacionin e plazhit dënohet me gjobë 200 000 lekë, në rastet kur subjekti është përsëritës, dënohet me gjobë 400 000 lekë.”, theksohet në ligjin e ri.
Gjoba, përbën titull ekzekutiv me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ dhe vendoset nga struktura përgjegjëse inspektuese në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve nga data kur vendimi i dënimit me gjobë është bërë titull ekzekutiv.
/rtsh.al/a.meta/