Gjiganti mediatik amerikan “Forbes” ka zgjedhur Shqipërinë në listën e vendeve të paprekura nga turizmi masiv. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar në “Forbes”, ku propozohet një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting në Vjosë.

Kryeministri theksoi se artikulli përshkruan “mikpritjen e përzemërt, përvojën mes barinjve, fermerëve, verërave e ushqimit tradicional në një rrëfim për të gjitha shijet e Shqipërisë”. “Forbes” e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të bukura evropiane për të vizituar në vitin 2024, për udhëtarët që kërkojnë pushime larg turmave masive.

Mënyra më e mirë ​​’për të marrë frymë lirisht’ është të shkoni në një nga destinacionet me pak të njohura të Evropës të cilat nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, shkruan Everett Potter në të përditshmen amerikane “Forbes”. Shqipëria veçohet nga “Forbes” për fermat e saj me ushqime të freskëta të rritura dhe prodhuara në vend, shtigjet malore të paeksploruara dhe mikpritjen e ngrohtë.