Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë në lidhje me akuzat e ish-presidentit Ilir Meta ndaj tij.

Basha i ftuar në emisionin “Zona Zero” në Top News, tha se askush nuk ka përfituar politikisht nga Edi Rama në këto 11 vite më shumë se Ilir Meta, teksa i cilësoi akuzat si trillim.

Kujtojmë që Meta tha se Basha i është ulur në gjunjë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershori, e po ashtu sipas Metës, kreu i PD kishte gënjyer kur kishte thënë se ka mbështetjen e gjermanëve për djegien e mandateve.

“Të gjitha akuzat e Metës ndaj meje janë një trillim. Është tashmë fakt i njohur jo vetëm nga demokratët, por dhe nga publik i gjerë që Ilir Meta vazhdon të ekzistojë politikisht për aq sa ekziston akoma.

Se ka shumë që thonë që nuk ekziston më, është fundi i rrugës së tij, për shkak të trafikimit që i ka bërë votave dhe influencës së demokratëve. Mos harroni që në 2013-ën, pasi u denoncua nga Rama për videon e famshme që shkaktoi dhe 21 janarin, u përqafua nga Rama. Shumë thonë për arsye të një këmbimi imuniteti nga pasojat e veprimeve të tij të mëparshme.

Dhe më pas po me lojërat e tij politike, po nga Edi Rama u zgjodh president i Republikës. Pra, askush nuk ka përfituar politikisht nga Edi Rama në këto 11 vite sesa Ilir Meta. Është bërë pjesë e koalicionit qeverisë në mandatin e parë, është bërë president në mandatin e dytë. Dhe kjo simbioz vazhdon. Ju e mbani mend tërsëllimën me të cilën nisi çështja e hetimit të spiunit I.M.

E kam fjalën në anën institucionale të çështjes. Pra, në momentin që diçka futet në rrjedhën institucionale, institucionet duhet ta nxjerrin haptazi se cila është e vërteta.

Dhe në veçanti autoriteti i dosjeve nuk mund të flejë mbi këtë dosje, që vet e denoncuan, vet e çuan tek kryetarja e Kuvendit dhe nga këtu thirrja ime është e qartë: ose të nxjerrin dosjen, ose t’i kërkojnë falje Ilir Metës. Sigurisht nëse ndodh e dyta, është pazari tjetër i Edi Ramës me Ilir Metën.”– tha Basha.