Menaxherë, ekonomistë, inxhinierë, bankier, sanitare, sistemues, menaxhim hoteli, kuzhinier e arkitektë, shoferë e deri tek punonjës krahu. Janë plot 5.745 vende të lira pune të shpallura nga bizneset në vend.
Nga punonjës me kualifikim të lartë e deri tek ato me arsim fillor, profesionet që kërkohen janë të shumta, ndërkohë që vihet re rritje e kërkesës për staf nga hotelet në prag të sezonit veror.
Në një anketë të Këshillit të Investimeve, mungesa e punonjësve është vlerësuar nga bizneset si pengesa më e madhe. Mungesa e punonjësve, dhe cilësia e stafit përbëjnë pengesën më të madhe me 31%, ndjekur nga mbështetja financiare me 17% dhe konkurrueshmëria në tregjet e synuara me 14%.
Edhe pse bizneset vuajnë për punonjës e sidomos të kualifikuar, ata nuk investojnë për trajnimin e stafit të tyre, në linjë dhe me zhvillimet teknologjike e inovacionin.
“Më shumë se 4 në 10 kompani i japin vëmendje të konsiderueshme inovacionit në kompaninë e tyre. Ndërsa 1 në 5 kompani nuk i kushton fare vëmendje. Të dhënat janë në përkeqësim krahasuar me vitin 2021”, thuhet në anketë.
Nga kompanitë e pyetura rezulton se vetëm 16% prej tyre kanë një fond në dispozicion për trajnimin e punonjësve të tyre ndërsa 60% e kompanive pohon se nuk ka fonde të dedikuara por sipas rasteve, dhe pjesa tjetër prej 24% thonë se nuk ju duhen fondet për trajnim punonjësish.
Por nga ana tjetër vetë biznesi pranon se rritja e produktivitetin në sipërmarrjen e tyre pritet të vij kryesisht nga trajnimi i punonjësve dhe nga rritja e pagave. Për të mbajtur stafet ekzistuese dhe për të rritur performancën e tyre 46% e kompanive deklarojnë se kanë rritur pagat në ndjekje të politikës së qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik.
Gjetja e punonjësve është sfida më e madhe e kohës, e pranuar tanimë jo vetëm nga bizneset por edhe nga institucionet vendase e të huaja. Por në kushtet kur emigrimi dhe lëvizjet punëtore janë shtuar, akoma më e vështirë bëhet gjetja e stafit të kualifikuar