Elton Qyno / Oranews
Mes shumë bisedave në aplikacionin “Sky”, ku eksponentë të krimit të organizuar flasin për trafikun e kokainës, vrasjet, korruptimin e drejtorëve të policisë dhe deri tek zyrtarët e lartë të qeverisë, në dosjen “Metamorfoza”, të siguruar nga “Ora News” ekzistojnë dhe mjaft dëshmi interesante, ku personazhe të ndryshëm tregojnë miqësitë, përplasjet dhe vrasjet në qytetin e Shkodrës.
Teksa lexon këtë dosje, kuptohet lehtësisht se thuajse të gjithë personazhet në këtë çështje, kanë qenë miq mes njëri-tjetrit, por mëritë, intrigat dhe pazaret ekonomike, mbivendosën një seri konfliktesh, hatërmbetje që prodhuan krime të rënda deri në eliminime fizike.
Publikimi në të ardhmen i bisedave në “Sky” të eksponentëve të krimit të organizuar në Shkodër dhe Lezhë, do nxjerrin zbuluar emra të përveçëm të politikës shqiptare, deri lart në qeveri, të cilët i kishin mirë punët.
“Ora News” mëson se një tjetër dëshmi e fortë e regjistruar nga prokuroria e posaçme SPAK, për llogari të dosjes voluminoze “Metamorfoza”, është ajo e Mustafa Licit, babait të Ibrahim Licit.
Mustafa Lici, një e emër mjaft i njohur në botën politike në Shkodër, ka shkuar dy herë në prokurori duke dhënë shpjegime para oficerëve dhe prokurorit të çështjes Arben Kraja, lidhur me miqësinë dhe më pas përplasjen e vazhdueshme deri në viktima mes familjes së tij dhe dy fiseve Bajri dhe Bilali.
Krisja mes fisit Lici dhe dy familjeve Bajri dhe Bilali, rezulton të ketë ndodhur në vitin 2018 kur në Shkodër është vrarë, Fatbardh Lici.
Fatbardhi, ishte shok i ngushtë i Behar Bajrit dhe së bashku kanë fjetur në shtëpinë e tyre.
Në këtë çështje penale, Mustafa Lici është pyetur si viktimë e veprës penale, pasi ai dhe vetë djali i tij, Ibrahimi, kanë qenë në planet për t’u vrarë nga Astmer Bilali, Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka.
Lidhur me konfliktin midis Behar Brajoviq alias Bajri dhe Ibrahim Licit, më datë 24 Janar 2024, është pyetur si deklarues Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, i cili shpjegon se me fisin Bajri ka pasur miqësi vëllai i tij, i ndjeri Fatbardh Lici.
“…Po pas vrasjes së Fatbardhit, fisi Bajri nuk është takuar më me Lict…”-është shprehur Mustafa Lici.
Ndër tjera ai ka deklaruar në SPAK se:
“…në lidhje me faktin që më parashtruat dhe më keni thirrur, dua të s’qaroj se unë kam patur një vëlla Fatbardh Lici, të cilin e kanë vrarë në vitin 2018. Për Fatbardhin dua të s’qaroj se ai ka patur lidhje shoqërore dhe është frekuentuar me Behar Bajrin, madje Behari dhe Bardhi kanë fjetur në shtëpitë e njëri tjetrit, kanë qenë shokë. Pasi u vra Fatbardh Lici, dhe ne si familje kishim hapur dyert e mortit, kemi pritur disa ditë dhe na ka bërë përshtypje që asnjë nga anëtarët e fisit Bajri dhe rrethi shoqëror i tyre, Astmer Bilali e të tjerë, nuk na erdhën për ngushëllim. Mua më ka bërë shumë përshtypje sa arrita të krijoja dyshime të pabazuara në prova se fisi “Bajri” dhe familja e Astmer Bilalit mund të ishin të përfshirë në vrasjen e vëllait tim Fatbardh Lici. Pas vrasjes së Fatbardhit disa kohë më vonë, në Shkodër u hapën fjalë të cilat më vinin nga të njohur të mi, se fisi “Bajri” fliste në opinion publik duke u tallur me familjen time dhe komentuar varrimin e vëllait tim, pasi disa anëtarë të familjes time nuk erdhën në varrimin prej frikës së mos na qëllonin…”.
Më tej Mustafa Lici, tregon se nga momenti i vrasjes së Fatbardh Licit, “nuk kemi pasur asnjë kontakt me fisin “Bajri” dhe fisin “Bilali””.
Ndër të tjera, Mustafa Lici ka shpjeguar para oficerëve se:
”…se familjes sime i ka ndodhur edhe një ngjarje disa muaj para se të vritej vëllai im Bardhi. Nuk kujtoj datën e saktë por rreth mesit të vitit 2018, i është vënë eksploziv në makinë kunatit tim Lul Kulla. Luli është martuar me motrën time A.Lici, por unë me familjen e motrës nuk është se bëhemi shumë. Vrasja e Bardhit ishte ngjarje e radhës që godiste të afërmit e mi…”.
Ndërkohë i pyetur për njohjen e Ibrahim Licit me Behar Brajoviq, Astmer Bilalin apo rrethin e tyre shoqëror, dëshmitari Mustafa Lici deklaron se:
“…djali im Ibrahimi si dhe Muhameti, nuk kanë patur marrëdhënie shoqërore me fisin “Bajri” dhe “Bilali”, por ato kanë pasur njohje pasi ata ishin miq të Fatbardh Licit dhe gjithashtu i kishim komshinj në lagje. Ibrahimi duke qenë i ri, ka mbajtur kontakte me Astmerin, pasi ai ishte moshë e re. Njohje si me “Bajrat” kemi dhe me Dorjan Dulin si komshinj, pasi Dorjan Duli që është përmendur në media, është komshi me mua. Dua të saktësoj se Ibrahimi nuk ka patur kurrë konflikt me Behar Brajoviç apo Astmer Bilalin….”.
Gjatë përfundimit të seancës së pyetjes Mustafa Licit i është kërkuar nga oficerët e BKH-së që të dorëzojë aparatet e telefonit, por ai ka refuzuar duke i pohuar se nuk kishte asnjë telefon me vete, pasi i kishte lënë në shtëpi.