Debatet në parlament ndonjëherë shkojnë në tone të forta, të ashpra e të larta siç jemi mësuar shpesh t’i dëgjojmë deputetët tanë. Mirëpo sot ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u detyrua të “dorëzohej” e të lëshonte foltoren jo se përballë kishte dikë që bërtiste, por sepse sipas tij po e pengonin që të çonte në fund fjalën e tij. Bëhet fjalë për deputeten demokrate të Shkodrës, Greta Bardeli.
Teksa Balla po replikonte për propozimet mbi ndryshimet në ligjin për perfektin, deputetja e PD-së ka ndërhyrë nga karrigia e saj duke i kthyer përgjigje në kohë reale ndërsa ministri fliste. Ky i fundit i kërkoi Bardelit që të mos e pengonte dhe se gjithçka flitej nga ajo nuk dëgjohej.
“O zonja deputete e ke huq të keq këtë. Unë nuk e di këtë. Po të lutem o zonja deputete. Jeni një deputete e nderuar e Shkodrës. Po bëni një zhurmë që nuk ju shkon për shtat. Të lutem zonja deputete sa ta mbyll une dhe merre. O zonja deputete nuk flitet nga vendi. Mësoje se t’u bë viti i tretë. T’u bë viti i tretë do ikësh edhe do mbahesh mend si njeriu që foli nga vendi. Zonja deputete kam shumë respekt për ju, por nuk iu bën nder. Ju bëni një zhurmë dhe nuk dëgjoheni. Unë dua që fjala juaj të vijë këtu. Merre fjalën pas meje se nuk dëgjohesh. Nuk e mësove. Ke 3 vjet. Të lutem, të lutem. Është fyerje”, u shpreh ai.
E teksa mendoi se më në fund nuk do të pengohej në fjalën e tij, kjo zgjati shumë pak për Ballën. Deputetja Bardeli sërish ndërhyri e kësaj radhe reagimi i ministrit ishte i menjëhershëm.
“Dorëzohem, faleminderit”, tha ai duke lënë foltoren./tvklan.al