Pas më shumë se 3 orë diskutimesh shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Kie votuan 131 deputetë, kundër ishin 29 kurse 11 abstenuan. Ndërkaq gjatë votimit u rrëzuan amendamentet e propozuara nga Serbia që kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin e Kosovës filloi rreth orës 17:30. Shumica e deputetëve që morën fjalën, e kanë mbështetur anëtarësimin e Kosovës. Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.

Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.

Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.

“Sepse ata refuzojnë idenë e shtetit të Kosovës, e jo vetëm respektimin e kushteve”, tha Bakoyannis.

Ajo tha se nuk ka pasur detyrë të merret me çështjen e shtetësisë.

“Po të ishte kështu, unë nuk do të pranoja ta bëja raportin”, duke shtuar se ajo do të përshtatej me qëndrimin e vendit të saj, Greqisë.

Bakoyannis po ashtu tha se ka kërkuar nga Kosova të sigurojë që shpronësimet e pronave të pakicës serbe të kryhen në respektimin më të rreptë të ligjit dhe se, ne rast pranimit të Kosovës, shpronësimit të paligjshëm të tokës do t’i nënshtrohet kontrollit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.