Gati një vit e gjysmë më parë Kuvendi miratoi me bujë hapjen e dosjeve, si një hap që do t’i jepte fund njëherë e mirë dilemës se kush është bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit apo i lidhur me regjimin komunist, në veçanti në pozicione të larta politike. Deputetët e të dyja palëve shpreheshin se së pari, verifikimi i lidhjeve ose jo me ish sigurimsat duhet të niste nga vetë ata.
Por shifrat flasin ndryshe nga zotimet. Deklaratat mbetën vetëm në foltoret e politikës, pasi nga 140 deputetë, vetëm 4 ligjvënës kanë kërkuar vullnetarisht verifikimin e figurës së tyre nga Autoriteti i Dosjeve, thuhet në raportin e publikuar për 2023 të këtij institucioni.
“Pranë Autoritetit, gjatë periudhës janar-dhjetor, janë paraqitur katër kërkesa me iniciativë personale për verifikim, nga deputetë në detyrë të Kuvendit të Shqipërisë.”, thuhet në raport
Emrat Autoriteti nuk i publikon në raport, por dy deputetë të Partisë Demokratike, Lefter Gështenja dhe Kreshnik Çollaku e publikuan vetë kërkesën e tyre kur iu drejtuan një vit më parë “dosjeve” për verifikim të lidhjeve të tyre ose familjarëve me ish sigurimin e shtetit.
Pastrimin e politikës nga ish spiunët, Autoriteti i Dosjeve sugjeron që ta bëjë po vetë politika, me të tjera ndryshime në ligj.
“Paketa me propozime për ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor, do të krijojë hapësirën ligjore që të kryhet verifikimi i gjithë kandidatëve që kandidojnë në zgjedhje. Po kështu, si pjesë e paketës me ndryshime ligjore pritet të propozohet rregullimi lidhur me procesin e integritetit të zyrtarëve që emërohen apo zgjidhen në detyrë përmes vetdeklarimit”, citohet në raport.
Aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë ka disa nisma të depozituara për të lënë jashtë politikës spiunët e ish sigurimit të shtetit. Socialistët patën propozuar që të ndalohej kandidimi apo drejtimi i partive politike nga ish spiunët, por këto nisma ligjore nuk janë konkretizuar me votim në parlament.
Debati për pastrimin e politikës nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit u rikthye nga ‘pluhurat e harresës’ dy vite më parë kur “Autoriteti” përmende Ilir Metën, asokohe president, si i dyshuar se përmendej në një nga dosjet e ish sigurimit të shtetit. Për këtë çështje, ish Presidenti e ka dërguar në Gjykatë Autoritetin e Dosjeve.
Nisur nga rasti i famshëm i “I.M” Kuvendi me votat e PS dhe PD zyrtare më 22 tetor të vitit 2022 hapi dosjet si dhe hoqi mburojën e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj ri-verifikimi i politikanëve për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani.