“Sali Berisha është ai që e di emrin e 45-vjeçarit, ende të paidentifikuar në dosjen ‘Xibraka’. Kjo ishte përgjigja e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, në seancën plenare, për deputetin Bardhi.

“Nëse do emrin, pyet Berishën ose bëj kallëzim në Prokurori, mos bëj informim, mos bëj njoftim. Dallimi midis informimit dhe kallëzimit është se po bëre kallëzim të rremë shkon në kokërr të burgut”, deklaroi Balla.

Ministri i Brendshëm reagoi gjithashtu për akuzat e opozitës që lidhin oficerë të policisë me krimin dhe paligjshmërinë. Ai tha se nuk ka një shkop magjik, që e zgjidh problemin brenda ditës, por u kërkoi deputetëve mbështetje për një ligj të ri “Për Policinë e Shtetit”, që Ministria e Brendshme ka hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Sa i përket procesit të vetëpastrimit të Policisë së Shtetit unë nuk kam një shkop magjik që në tetë muaj të pretendoj që të pastrojë PSH menjëherë, por dua t’ju shpreh gjithë angazhimin tim dhe shumë shpejtë do të vij këtu te ju në fund të javës të kërkoj mbështetjen tuaj edhe të opozitës për një ligj të ri të PSH. Nuk kam unë asnjë dyshim që brenda PSH ka punonjës të PSH që ditën janë me uniformë dhe natën tradhtojnë besimin e qytetarëve. Nuk kam dyshim për këtë dhe për këtë jam duke bashkëpunuar fuqimisht me të gjithë agjencitë partnere me Interpolin, me Europolin me të cilët fal tyre kemi arritur të identifikojmë drejtues të lartë të PSH të cilët sot janë pas hekurave. Është e papranueshme, unë e kam thënë është e papranueshme ndërkohë që PSH shkon të arrestojë një prej personave më të rëndësishëm të botës së krimit nga informaconi vetë i strukturave të Policisë dhe i strukturave të AMP personi të jetë në kontakt me një shef Komisariati, është arrestuar ky shef Komisariati edhe ky bosi i heroinës është i arrestuar sot, sikurse janë të arrestuar një numër i konsiderueshëm. Nesër mbërinë në Rinas një person i dënuar me burgim të përjetshëm për tre vrasje, i shmangur nga drejtësia shqiptare që prej vitit 1997, i fshehur prej shumë vitesh në Korenë e Jugut. Koha e pandëshkueshmërisë nuk është se mbaron brenda një nate, nuk mbaron as brenda një mandati Ministri, por ky është një proces, i cili duhet t’i lerë më një anë debatet politike. Unë e kam thënë ditën time të parë në këtë detyrë, çfarëdo që të keni me Taulantin, me Edi Ramën me gjithkënd është një debat politik. Thirrja ime është që ta lëmë PSH që e para të kaloj në këtë proces vetëpastrimi, dua t’ju informoj dhe jam i gatshëm më thërrisni nesër në interpelancë, javës tjetër në interpelancës sesi ecën procesi i vetingut ku ka shkarkime nga procesi i vetingut. Dua t’ju them që, ajo që ka nevojë sot PSH është ajo për mbështetje financiare se paga e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk është aty ku unë edhe ju do donit të ishte dhe shpresoj që edhe ju të vini dhe ta votoni këtu aktin normativ për rishikimin e buxhetit, të kemi mundësin që të shtojmë mbështetjen për PSH. Në 1 korrik ne do të kemi mundësinë të bëjmë një rritje të madhe krahasuar me ato të viteve të mëparshme të pagës së punonjësve të PSH sepse është e domosdoshme, është e papranueshme që të përballemi me nevojat që ka edhe pse dua ta pranoj që qeveria është si një familje po mundohet që të bëjë mirë edhe për mësuesit, të rris pagat edhe për infermierët edhe për forcat e ushtrisë në kushtet e një bote me një situatë tërësisht të re jo vetëm në Evropë por edhe në të gjithë botën dhe prandaj dua t’ju them ju se bashkëpunimi me SPAK në mënyrë të veçantë me prokuroritë e rretheve është një bashkëpunim i cili është themeli i këtij procesi vetëpastrimi”, u shpreh ministri Balla.