Njerëzit sigurojnë punën e kërkuar nga bizneset në këmbim të pagave, duke shkëmbyer kohën e lirë të papaguar me kohën e punës së paguar për të garantuar jetesën dhe për të qenë në gjendje të blejnë mallra dhe shërbime.
Bizneset, nga ana tjetër, e përdorin këtë punë për të prodhuar mallra dhe shërbime të kërkuara nga konsumatorët. Kur njerëzit kanë punë, kanë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime, gjë që ndihmon bizneset të rriten dhe të krijojnë më shumë vende pune.
Bizneset gjithashtu nxisin ekonominë kur punësojnë punëtorë, rrisin pagat dhe investojnë në zgjerimin e aktiviteteve të tyre. Shteti, nga ana tjetër, mbledh më shumë taksa, që ia kthen mbrapsht publikut nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, shëndetësi, mirëqenie sociale etj.
Ky është zinxhiri se si ka funksionuar ekonomia globale në shekuj. Vendet që kanë arritur të përdorin më mirë si fuqinë punëtore, ashtu dhe zhvillimet teknologjike, kanë arritur të sigurojnë jo vetëm shtim të mirëqenies, por edhe zhvillim të qëndrueshëm për brezat që do të vijnë.
Në Shqipëri, një nga hallkat e këtij zinxhiri po rrezikon të shkëputet. Gjetja e fuqisë punëtore po bëhet një problem gjithnjë e më madhor, një temë që është trajtuar vazhdimisht nga “Monitor” gjatë tre viteve të fundit.