Një aksident i frikshëm ka ndodhur në Baltimore, ku një anije ka goditur një urë, duke shembur një pjesë të madhe të strukturës gjigande.

Pjesë të mëdha të urës Francis Scott Key Bridge në Baltimore, Maryland në SHBA janë rrëzuar në ujë pasi u goditën nga anija e kontejnerëve Dali me flamurin e Singaporit

Para se të përfundonte në ujërat e lumit, pjesë të urës u përfshinë nga flakët.

Si pasojë e shkatërrimit të urës dhjetëra makina kanë përfunduar në lumë, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin brenda tyre.

Mediat raportojnë se ngjarja ka ndodhur në orën 01:30 sipas orës lokale.

Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit.

Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar së paku shtatë njerëz për të cilët besojnë se janë në ujë, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

Ende nuk ka të dhëna konkrete për viktima por shërbimet zjarrfikëse deklarojnë se pritet të ketë një numër të lartë të personave të cilët kanë humbur jetën.