Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Konferencë shkencore: Naum Prifti -Mjeshtri i prozës së shkurtër
Nga Eleni Karamitri
Shkrimtari Naum Prifti – Zëri Shqiptar në Disporë

Krijimtaria e shkrimtarit Naum Prifti, përmbajtur idesë së globalizimit në letërsi, vjen e integruar me kohën, novatore, pjesë e modernitetit letrar në letërsine shqipe. Në të shkrihen mjeshtërisht tradita me modernen, realja me fantazinë ku mendimet arrijnë shpesh në përsihatje filozofike. Si një nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë me ndikim në diasporë, Naum Prifti u bë zëri intelektual shqiptar që i dha shumë letërsisë shqipe bashkëkohore dhe letërsisë së diasporës shqiptaro-amerikane. Figurë shumë dimensionale, protagonist i kulturës shqiptare, Naum Prifti u rezistoi me dinjitet viteve të tranzicionit duke ruajtur personalitetin e tij. Prirja natyrale dhe puna e palodhur, e bënë njeri të shquar. Studiuesi Robert Elsie, e cilëson shkrimtarin Naum Prifti ne Historinë e letërsisë shqiptare(1997) ndër autorët kryesorë të letërsisë bashkëkohore shqipe, duke veçur tek vepra e tij, ndër të tjera, thellësinë e mesazheve artistike, skicimin e mprehtë të karaktereve, shkallën e lartë të humanitetit. Naum Prifti erdhi në letërsinë shqipe kur ajo ishte në kërkim të zërave të rinj duke u bërë denjësisht pjesë jetike e pandarë, në trupin e kësaj letërsie. Harmonik me veten dhe me të tjerët, ky autor dallon për këtë cilësi të admirueshme të karakterit të tij. Ndryshe nga letërsia deskriptive e skematike, në intimitetin e tij artistik, ndjen frymën lirike dhe vërtetësinë e ngjarjeve. Qytetërues në mesazhet që transmeton është bashkudhëtar me të gjitha moshat. Me stilin e kursyer nga tepëria e lodhshme e fjalëve dhe përshkrimeve, Naum Prifti është tipik në cilësimin mjeshtër i rrëfimit, kur me pak thuhet shumë. Kritika letrare të ndalet në faktin që në gjininë e prozës së shkurtër dhe letërsisë për fëmijë, kemi të bëjmë me një model shkolle letrare të kultivuar nga ky autor, pararendës i brezit të ri të krijuesve që i solli letërsisë ndryshime të spikatura e dimensione të reja. Gjatë krijimtarisë së tij ka mbi 100 tituj veprash të botuara në gjini të ndryshme po në një nga intervistat, autori pohon se gjinia më e preferuar e tij është tregimi. Në të vërtetë, letërsisë nuk ia jep vlerën gjinia, po lirizmi dhe realizmi. Gjëja më e vështirë në krijimin letrar është ruajtja e ritmit të brendshëm, ekuilibri që nuk duket po ndihet dhe që nuk mësohet, është intuitiv. Kur e pyetën Rafaelon, piktorin e famshëm italian, se nga e nxirrte atë bukuri aq të bindshme të “Madonne-ve” të veta? përgjigjja ishte: Da una certa idea,1) pra prej nji ideje të përftuar nëpër intuitë të një shpirti bujar, mendje të kthjelltë, depërtuese (intuitive), me nji fantazi e gjallëri të posaçme. Eshtë pikërisht veçantia sensuale e të menduarit dhe të shprehurit, me të cilat shkrimtari Naum Prifti ndërthur mendimin e ndjenjën në forma filozofike dhe artistike si vlera të idealeve të kombit dhe si pjesë e kulturës shqiptaro-amerikane. Me njohuritë në fushën e mjekësisë diagnostikoi psikologjinë shqiptare, shpirtin njerëzor dhe e lartësoi atë duke i dhënë frymë pa bujë, me ndjeshmëri e shpresë për ta jetuar jetën edhe kur është e vështirë. I vlerësuar me Penën e Artë, kujtohet me fuqinë e magjishme të penës profesionale letrare e publicistike.

Në vitin 1991 për shkrimtarin Naum Prifti fillon jeta në emigracion, në gjirin e shqiptarëve të Amerikës. Lëvizja gjeografike ndikoi për mirë në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit. Ndihej me se fundi i lire. U ambientua shpejt por me vete mori mallin dhe nostalgjinë. Përgjigjja ishte: Unë kudo që shkoj jam një copë Shqipëri.2) Me natyrën e tij të qetë e modeste deri në madhështi, me dhuntinë për të parë çdo gjë me syrin e artistit, ai vijoi pa u lodhur punën krijuese duke u bërë pjesë aktive e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe diasporë. Në emigracionin e largët , ku mënyra e jetesës ndryshon nga Shqipëria, kërkohet përkushtim për të mbajtur gjallë jetën kulturore dhe punën e filluar nga patriotë me emër në Amerikë. Jo kushdo i ka shkuar deri në fund kësaj rruge. Në vitet 1996 dhe 1997, kujtojmë ndër botimet në Amerikë, librat Shekulli 21, mendime dhe opinione dhe Kombi, rrugët e bashkimit kombëtar. Të dy këto botime prestigjoze janë dëshmi e punës prej vizionari të shkrimtarit Naum Prifti për të ardhmen e kombit. Ato vijnë si përpjekje objektive e zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shtrirje kohore përqendruar në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Duke ngacmuar mendimin intelektual dhe duke e vënë në lëvizje këtë forcë mendore, Shekulli 21 dhe Kombi vlejnë si projekte madhore drejt ardhmërisë. Diktatura e la një jetë të ndarë familjen Prifti në dy kontinente. Larg syve e pranë zemrave jetuan vëllezërit Prifti për dekada të tëra. Kontributi i tyre për çështjet shqiptare nuk u ndal dhe është sot vlerë e shtuar në arkivat historike e letrare shqiptare e të huaja. Koha e solli që ky vlerësim i merituar, t’u japë mundësinë të jenë pjesë aktive në organizatën Panshqiptare Vatra dhe në gazetën Dielli. Peter Prifti, shkrimtar, studiues e veprimtar politik, një nga personalitet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane në diasporë, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit i drejtpërdrejtë i Fan Nolit, në vitet 1958-1959, ishte Sekretar i Vatrës dhe redaktor i gazetës Dielli. Në vitin 1995, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi, personalitet i kulturës shqiptare, Naum Prifti, zgjidhet Sekretar i Shoqatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e mbajti për 15 vjet duke kontribuar aktivisht në gazetën Dielli e Illyria me shkrime letrare, historike e shoqërore. Zë i veçantë intelektuali, Naum Prifti, njihet si bashkëthemelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (The Albanian- American Writer) 2001 dhe anëtar i përkushtuar i saj deri në fund të jetës. Me statusin e kryetarit dhe anëtarit të devotshëm, dalloi për eruducionin e tij si intelektual e si shkrimtar në eventet kulturore që zhvillonte në New York dhe kudo në Amerikë kjo shoqatë (ShShShA).

Naum Prifti e Peter Prifti, janë zëra të fuqishëm, përfaqësues dinjitoze e të përhershëm të botës shqiptare, që me shkrimet, studimet, ligjeratat dhe opinionet e tyre, kanë ndjekur rrugën e Vatranëve të hershëm duke bërë që vlerat identitare të kombit tonë, të njihen në rrethet shkencore, diplomantike e kulturore në Shqipëri, Amerikë e në gjithë diasporën. Këto janë parathënie e titujve që do t’i shoqëronin në këtë jetë dhe përtej saj, si pasuri e trashëgim për brezat që vijnë pas. Atdheu duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj ikonave të tilla të kulturës e historisë, që diaspora shqiptare nuk i harron por i çmon e i cilëson si Nder i Kombit.3) Me ecurinë dhe bashkëkohësinë e krijimtarisë së tij, Naum Prifti njihet sot një prej shkrimtarëve me emër që i përket epokës së historisë moderne intelektualisht dhe artistikisht.
Referenca
1) Zemra shqiptare, Kulture, 27.09. 2010
2)Gazeta Tema, In Memoriam: Naum Prifti, 17 qershor 2023.
3) Simpozium i Federates Pan Shqiptare Vatra, Illyria , New York, 16-18 nentor 2010,
In Memoriam: Ne kujtim te Profesor Peter Priftit.