Policia e Tiranës ka gjetur së fundmi një automjet të parkuar në zonën e Saukut brenda të cilës, u gjetën një pistoletë dhe një automatik me krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.
Bëjmë me dije se të gjitha këto janë gjendur teksa policia ishte në kërkim të Eljo Hatos.
Ndër të tjera bëhet me dije se rezulton se ky automjet është në pronësi të Emiljano Ninës, kushëriri i të shumëkërkuarit të drejtësisë dhe ish-kreut të lojërave të fatit në vend, Ervis Martinajt.
Ky i fundit aktualisht ndodhet në paraburgim në Tiranë, ndërsa dyshohet se mjeti përdorej nga shtetasi Olsi Gjoshi.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Goditet, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk.
Punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:
▪️Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E. N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O. Gj., 37 vjeç.
Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak si dhe një bllokues valësh.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. N., dhe po punohet për kapjen e shtetasit O. Gj.