Gentjan Bejtja, ish-polici i burgjeve me një të shkuar të errët u ekzekutua nga një skuadër prej katër personash që dyshohet se janë të njëjtët që i bënë atentat në korrik të vitit 2023, kohë kur i vranë kunatin, Ramazan Sino dhe i plagosën dy djemtë, njëri 18 dhe tjetri 13 vjeç.

Gjithçka ndodhi në momentin që Bejtja po vadiste domatet, ndërkohë që dëshmitarë të krimit makabër janë bërë dhe familjarët e Bejtjas.

Atentatorët dyshohet se kanë marrë informacione nga një person që kishte muaj që vëzhgonte lëvizjet e Bejtjas. Dhe pasditen e 15 marsit, janë afruar pranë vilës së ish-policit. Para se të mbërrinin aty me një mjet tip “Land Rover”, janë kujdesur që të shkëpusnin energjinë elektrike në zonë në mënyrë që të mos linin ‘gjurmë’ përmes pamjeve filmike dhe identifikimi i tyre është akoma më i vështirë.

Ata kanë parkuar fuoristradën në portën kryesore të shtëpisë së ish-policit dhe tre prej tyre kanë zbritur nga mjeti të maskuar dhe me kallashnikovë në duar. Një i katërt, gjithashtu i maskuar, i ka pritur në makinë dhe pasi kanë qëlluar me 30 plumba në drejtim të Bejtjas, janë larguar bashkë nga vendngjarja.

Gentian Bejtja ka tentuar të futet brenda në banesë, por plumbat e kanë kapur në momentin që ka qenë në derë dhe aty ka mbetur i vdekur.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur në total 50 gëzhoja kallashnikovi. Atentaorët më pas kanë dalë në rrugën kryesore që lidh Fushë Krujën me Kamzën dhe janë futur në fshatin Hasan, ku edhe kanë djegur makinën. Përmes një makine tjetër, siç ndodh rëndom në çdo ngjarje kriminale, janë larguar në drejtim teë paditur.

Një prej atentatorëve dyshohet se është Eljon Hato, i njohur si ushtari i Ervis Martinajt që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022. Pas atentatit, forcat RENEA zhvilluan një aksion pasi kishin rënë në gjurmët e Hatos, por aty gjetën vetëm makinën që përdorej prej tij, e cila rezulton në emër të Emiljano Ninos, kushëririt të Martinajt që ndodhet në burg. Gjithashtu, mjeti në fjalë, brenda të cilit u gjetën dy armë zjarri, bllokues vallësh dhe municione, përdorej nga 37-vjeçari Olsi Gjoni.

Përsa i përket atentatit të Bejtjas, në polici është shoqëruar Valter Bami, i cili u vu në pranga dhe në kohën kur iu vra kunati pasi dyshohej se kishte gisht në ngjarje. Edhe persona të tjerë janë marrë në pyetje, nën dyshimin se mund të kenë informacione që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Ky ishte atentati i katërt që i bëhej Bejtjas. Përveç sulmit ku iu vra kunati, ish-polici u ka mbijetuar edhe dy atentateve të tjerë. Herën e parë, u tentua të vritej në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, kur Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Më pas, në 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtja, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka.

Bejtja ishte njëri nga njerëzit që piu kafe me Enver Stafukën, pak minuta para se ky të rrëmbehej dhe të zhdukej në mes të Fushë-Krujës, natën 8 shkurtit 2015. Po ashtu, ai ishte i njohur edhe si mik i Durim Bamit, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ka qenë i dyshuar për një seri ngjarjesh në zonën e Fushë-Krujës, por jo vetëm. Edhe vetë Bejtja është përmendur në disa ngjarje kriminale.

Ai u përmend shumë si personi i cili dyshohet që së bashku me Enver Stafukën kishin vjedhur makinën me të cilën u krye vrasja e kryekomisar Dritan Lamajt 24 shkurt 2013. Por me vendim gjykate Betja dhe Stafuka u shpallën të pafajshëm me 13 nëntor 2013. Gjithashtu, Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it dhe atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor./ZËRI