Është zbardhur dëshmia e dy të plagosurve nga atentati i mbrëmjes së djeshme në fshatin Grudë e Re në Shkodër, 28-vjeçarit Gjergj Ndershtiqaj dhe kunatit të tij, Gjin Nika, 30 vjeç.
Para grupit hetimor, ata kanë deklaruar se janë qëlluar sapo kanë zbritur nga automjeti i tyre, ndërsa nuk kanë arritur dot t’i identifikojnë autorët. Për t’iu shpëtuar plumbave, ata thonë se janë fshehur pas makinës, teksa pretendojnë se nuk kanë konflikte me njeri.
“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës.”, thanë të plagosurit përpara hetuesve.
Autorët i kanë vënë zjarrin si makinës së të plagosurve, po ashtu, kanë djegur edhe automjetin e tyre. Policia ka shoqëruar 20 persona deri më tani, të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor, ka gjetur në vendin e ngjarjes 80 gëzhoja automatiku, të cilat janë përdorur nga autorët.
Sipas dëshmitarëve, mësohet se kanë qenë 4 autorë, tre prej të cilëve kanë qëlluar në drejtim të të rinjve. Tre armët e zjarrit kallashnikov të autorëve janë gjetur në makinën e djegur, e cila është transportuar në policinë e Shkodrës për ekspertim më të specializuar