Zbardhet dëshmia e dy të plagosurve

Katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin që la dy të plagosur mbrëmjen e së martës në fshatin Grudë e Re në Shkodër.

Burime nga grupi hetimor thanë se 3 prej tyre kane hapur zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim te 28-vjecarit Gjergj Ndërshtiqaj, student i Akademisë së Sigurisë në Tiranë, dhe kunatit të tij Gjon Nika 30 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ishte edhe objektivi.

Në vendin e ngjarjes u gjetën mbi 80 gëzhoja, por fatmirësisht dy të rinjtë kanë marrë nga një plumb në trup dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital. Në dëshminë e tyre para hetuesve ata kane deklaruar se dëgjuan të shtënat sapo zbritën nga makina dhe se për shkak të errësirës nuk kanë arritur të shohin se cilët ishin autorët.

Ata thanë se kanë qëndruar të fshehur pas makinës derisa përfunduan të shtënat. Të plagosurit kanë mohuar të kenë konflikte me persona të tjerë duke mos ndihmuar në zbardhjen e motiveve të ngjarjes.

Tre kallashnikovë që dyshohet se u përkasin autorëve janë gjetur në makinën e djegur e cila është transportuar në Policinë e Shkodrës për ekspertim më të specializuar.

Si pasojë e breshërive të kallashnikovit, edhe automjeti i të plagosurve mori flakë. Kamerat e sigurisë së një lokali në afërsi të të cilit ndodhi ngjarja nuk kanë arritur të fiksojnë autorët.

Dyshohet që ata të kenë qenë të maskuar. Për ngjarjen e rëndë janë shoqëruar rreth 20 persona në komisariat për të dëshmuar.

Në drejtim të Shkodrës udhëtoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rumbullaku, i cili zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë të policisë.

Tv Klan