Nënkryetari i PD Gazment Bardhi, në fjalën e tij për mediat ka bërë të ditura detaje në lidhje me atë që u vendos në Konferencën e Kryetarëve. Ai u shpreh se është lajm i mirë që pas muajve rezistencë të deputetëve të opozitës, mazhoranca ka reflektuar.

Sipas tij, çdo ligj që kërkon 3/5 pa përjashtuar ligjin për “Zgjedhoren”, të diskutohet në një nënkomision me partneritet të plotë të grupeve të PD dhe PS.

“Maxhoranca ka reflektuar pas 5 muajsh. U refuzua kërkesa e opozitës për ndryshimin e kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kemi rënë dakord në parim për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare korruptive në sektorin e shëndetësisë dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në të dhënat personale në sistemin TIMS. Opozita ka pasur gjithmonë gatishmërinë për normalitet në parlament. Nënkomisioni do t’i duhet t’i japë Shqipërisë ligje, që janë në interes të shqiptarëve. Ne do të zbatojmë vetëm Kushtetutën”, deklaroi Bardhi.