Një atentat me dy të plagosur ka ndodhur rreth orës 19:30 në fshatin Grudë e Re në Shkodër.
Gazetari i Report Tv Ergys Kavaja raporton se të plagosurit janë Gjergj Ndershtiqaj 28 vjeç student në Akademinë e Sigurisë dhe kunati i tij 30 vjeç Gjon Nika. Ndaj makinës së tyre janë zbrazuar 30 plumba.
Autorët mësohet se kanë djegur automjetin e tyre dhe të plagosurve, ndërsa dyshohet se shënjestra ka qenë Gjon Nika kunati studentit të akademisë së Policisë. Gjergj Ndërshtiqaj që mbeti i plagosur në atentati në Shkodër është vëllai i drejtorit të Drejtorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Dy të plagosurit po marrin trajtim në spitalin Rajonal, ndërsa në Shkodër kanë mbërritur Forcat RENEA, kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Krimeve të Rënda, Neritan Nallbati.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, për kapjen e autorëve, në afërsi të vendit të ngjarjes, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Renault”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes dhe në përfundim të veprimeve të para, do të ketë informacion më të detajuar për këtë rast.