Kryesocialsiti Edi Rama ka zhvilluar takime me strukturat në Shkodër, në kuadër të rienergjizimit të partisë. Në fjalën që ka mbajtur para anëtarëve të organizatave socialiste, kreu i qeverisë është ndalur në punën që do bëhet për qytetin e Shkodrës, e cila për herë të parë u ‘kthye rozë’ në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Rama thotë se qeveria do ketë mbështetje pa kursim për mbështetjen e Shkodrës, pasi është një nga bashkitë më të prapambetura në vend, për shkak se mbeti peng i së kaluarës duke u kapur pas së shkuarës, siç e cilësoi Rama.

“Dua të them që pas afro 24 orësh këtu në Shkodër më vjen shumë mirë që përjetimi është pozitiv dhe që ndjesia e vlerës së votës është e prekshme. Besoj që është e prekshme, jo thjesht për mua, por është e prekshme për banorët e Shkodrës. E ndjej vetë mes vizitave të dikurshme dhe vizitave pas zgjedhjeve ku buzëqeshja dhe dëshira e njerëzve për tu afruar për tu shprehur janë gjithnjë e më të forta. Është reflektim i punës mbresëlënëse që po bën Beneti me skuadrën e bashkisë së re. Punë që nuk diskutohet që ne e mbështesim pa kushte dhe pa kufizim, sepse Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin kombëtar. Shkodra është e prapambetur me bashkitë tjera, ishte pengu i një krenare të humbur që përkthehet në një mllef vetëagjësues, refuzimi për ndryshim duke u kapur pas së shkuarës. Sot Shkodra po bëhet hapësira e një krenarie të fituar, një krenari që ushqehet nga ndjenja e të qenit në qendër të vëmendjes, të shikuarit të ndryshimi të mundshëm, nga ndjenja e të ardhmes që ka filluar të ushqejë zemrat dhe mendjet e shkodranëve. Për mua është e rëndësishme krenaria e mbështetur në atë që ne mund të bëjmë së bashku, jo vetëm të mbështetur te historia, tradita, vlerat e krijuara nga e shkuara, ushqimi i ndjenjës së krenarisë për Shqipërinë, Shkodrën, Vlorën, është themelor për të siguruar të ardhmen që meritojnë gjeneratat e tjera. Shkodra është laborator i të shkuarit përtej kufijve partiak dhe i të kuptuarit të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta, që mund të mbrohen më mirë duke i kapërcyer kufijtë partiake, duke kuptuar që PS nuk është qëllim më vetvete, por një instrument për të realizuar qëllime të përbashkëta që kanë të bëjnë me njerëzit”, tha Rama.