Skënderbeu-Vllaznia është padyshim një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 27-të të kategorisë Superiore. Sfida në fjalë ballafaqon dy skuadra që aktualisht janë pjesë e katërshes finaliste. Vllaznia e vendit të dytë me 46 pikë dhe Skënderbeu i katërti me 37 pikë. Në prononcimin e dhënë në prag të kësaj ndeshje, trajneri i Vllaznisë Qatip Osmani, vlerëson skuadrën korçare si një nga ekipet që luan futboll cilësor në Shqipëri, por nga ana tjetër është optimist për marrjen e një rezultati pozitiv.

Edhe pse në kampin kundërshtar ka deklarata për ta ndalur Vllazninë, tekniku Osmani thotë se nuk nuk ngarkohen psikologjikisht në këtë drejtim

Ndër të tjera, Osmani flet edhe për problematiken e dëmtimit të dy portjerëve të parë, ndërkohë që me skuadrën kanë udhëtuar edhe dy portjerët e rinj, 19 vjeçarët, Aron Jukaj dhe Rezart Bunjaj të Vllaznisë U21.

Sfida, Skënderbeu-Vllanzia e vlefshme për javën e 27-të të Superiores, luhet të hënën duke filluar nga ora 17:00.