Bumi turistik i vitit të kaluar i cili solli rritjen e numrit të qytetarët që lëshonin banesat në posedim me qira afatshkurtër përmes platformave AirBnB apo Booking, duket se ka rezultuar në më shumë përfitime për qiradhënësit por jo për buxhetin e shtetit.
Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të siguruara nga SCAN, tregojnë se tatimi i arkëtuar nga qiratë në vitin 2023 është regjistruar në rreth 4.8 miliardë lekë apo 46.2 milionë euro nga afro 4.6 miliardë lekë të akumuluara një vit më parë.
Diferenca është shumë e ulët, shtuar këtu faktin se gjatë vitit 2023, edhe çmimet e qirave afatgjata pësuan një rritje të ndjeshme kryesisht në kryeqytet, por jo vetëm, çka duhet të sillte të ardhura më të larta për buxhetin e shtetit.
Por aktualisht kusht për deklarimin e kontratës së qiradhënies e kanë vetëm bizneset dhe jo individët, duke bërë që infomaliteti të jetë i lartë në këtë sektor, përpos qirave afatshkurtër të cilat kanë qenë jashtë vëmendjes së administratës tatimore.
Por sa është norma tatimore që paguhet mbi qiratë? Sipas ligjit në fuqi “për tatimin mbi të ardhurat” , të ardhurat nga qiratë e pasurive të paluajtshme trajtohen si e ardhur nga investimet dhe tatimi i aplikuar në burim është 15 për qind e vlerës së qirasë mujore.
Pra nëse qiraja është në vlerën 50 mijë lekë në muaj, tatimi që duhet paguar është 7500 lekë në muaj. Në rastin kur një individ ia ka dhënë pronën me qira një subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor.
Projektligji për turizmin i miratuar së fundmi në qeveri synon ti japë zgjidhje informalitetit pasi detyron strukturat akomoduese që të deklarojnë në ministri numrin e vizitorëve, të netëve të qëndrimit, shtetësinë e tyre, në të kundërt parashikohen gjoba.
Ndërsa për individët që lëshojnë prona me qira afatshkurtër përmes platformave Booking dhe AirBnB, do të duhet të marrin në ministrinë e Turizmit një certifikatë kategorizimi sipas standardeve të dhomës, apartamentit apo vilës dhe do të paguajnë detyrimet tatimore nga këto të ardhura një herë në vit nëpërmjet deklaratës të të ardhurave personale, pa qenë nevoja të pajisen me një NIPT./ scan