Nga Nersada Mandija, MSc në Sociologji

Ndodh rëndom të dëgjoj këshilla për gratë në karrierë të tipit “kij besim në vete” apo “bëhu e fortë” e të tjera si këto, dhe sado që e kuptoj që janë themeli i motivimit emocional për shefet feministe, nuk jam aspak dakord! Të japësh/marrësh zgjidhje emocionale për probleme strukturore në rastin më të mirë është përbuzëse, për të mos folur në rastin më të keq, për ndikimin manipulativ që ka tek gratë duke i bërë që të dyshojnë në gjykimin e tyre mbi veten apo situatën në të cilën ndodhen.
Nëse ndodh shpesh që ndërpritesh teksa flet, merr komente rreth gjendjes tënde emocionale, të kundërvihen kur ke një opinion ndryshe duke bërë që t’i të fillosh të dyshosh për mënyrën se si flet, të ulësh tonin e mendimeve tuaja, të fshehësh emocionet tuaja apo akoma më keq të konsumohesh në përpjekje për të arritur perfeksionin- problemi nuk është vetëbesimi! Problemi janë rrethanat!
Prej vitesh tashmë, nëpër botë bëhen dhe publikohen studime sociologjike në vendin e punës të cilat studiojnë shkaqet dhe rrethanat e suksesit në karrierë në terma të racës, gjinisë, emigracionit, formimit profesional dhe instrumenteve të tjerë nxitës dhe strukturorë- të cilët përbëjnë kontekstin e zhvillimi të karrierës. Është pikërisht kuptimi i këtyre rrethanave strukturore të sistemit të karrierës dhe shoqërisë, që mundëson që gratë të ndalojnë së krahasuari veten me kolegë meshkuj që janë rritur në karrierë, ndërsa ato vazhdojnë të provojnë veten sa vlejnë.
Nuk po sugjeroj që nëpërmjet kuptimit të kësaj strukture dhe paragjykimeve sistemike, duhesh demotivuar apo hequr dorë nga rritja profesionale, në asnjë mënyrë! Ajo që po sugjeroj është se, një vështrim objektiv i rrethana dhe kontekstit social, politik dhe kulturor ku zhvillohet karriera e një gruaje, ka gjasa të gjenerojë zgjidhje më të dobishme për problemet e hasura, sesa projektimi i atyre problemeve vetëm tek kuarajoja apo emocionet. Thënë këto, njohja e rrethanave dhe kontekstit të ambjentit profesional, lejon gratë që të:
-mos e personalizojnë paragjykimin: kur dikush të ndërpret teksa po flet për punë, nuk ngre pikëpyetje mbi veten, por mbi atë që të ndërpret. Ti nuk ke pse stërhollon në mendjen tënde, probleme që nuk të përkasin ty!
-synojnë mentorimin profesional dhe jo vetëm mbështetjen emocionale dhe këshillat për kurajo: prej vitesh gratë orientohen drejt aktiviteteve motivuese dhe kurajuese, ndërkohë që duke mbajtur përherë sytë poshtë, harrohet se loja luhet në fushë, topi është atje. Kjo qasje gjinore, ndër vite ka thelluar hendekun ndërmjet burrave dhe grave për sa i përket rritjes profesionale dhe karrierës. Njohja me prioritetet e sektorit ku je e prfshirë, prioritetet e përgjithshme të zhvillimi të vendit tënd, frekuentimi i skemave të trajnimit profesional apo mbështetjeve të rritjes, ka gjasa që të ndihmojë më shumë rritjen tënde profesionale sesa një fjalim i sheqerosur mbi vetëbesimin dhe fuqinë e munguar të grave.
-kenë përherë një sy kritik tek sistemet që ju kanë përjashtuar historikisht- vetëm një shikim i qartë, objektiv dhe strategjik ju ndihmon të lundroni përgjatë pengesave strukturore dhe t’i kapërceni ato me sukses.
-A e dini se çka është më e bukur se të rrish para pasqyrës dhe ti thuash vetes “kij besim! do ia dal!”?
-Të arrish vërtet atë që do!