Kurrë s’e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat, kur i kërkova një punonjësi të bashkisë të shkonte ta verifikonte. Mekanizmi mbi 120 vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M’u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve.
Falë orëndreqësit Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali mundëm të mësonim historikun e këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe të realizonim pastrimin e mirëmbajtjen e mekanizmit të tij.
Me këtë nismë te thjeshtë, por i bindur që kam mbështetjen e qytetarëve shkodranë, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se ky mekanizëm po bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit. Njëkohësisht dua të ndaj me ju lajmin e mirë se po punojmë për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.
Dhe së fundi dua t’ju ftoj ta ndiqni këtë reportazh modest që u prodhua nga Bashkia Shkodër, si një provë e patjetërsueshme e shpirtit shkodran, gjithmonë i mbushur me qytetari e dashuri.