Klasikja Vllaznia-Tirana “ndez” futbollin shqiptar, një përballje epike e mbushur me shumë histori. Një nga protagonistët absolut të kësaj sfidë ka qenë pa diskutim edhe Hamdi Salihi, ish sulmuesi i famshëm i Vllaznisë dhe Tiranës. Ndihmës trajneri i ekipit përfaqësues, në një intervistë ekskluzive për “News24”, rrëfeu emocionet e kësaj përballje, momentet më të bukura që ka kaluar me të dy ekipet. I ftuar në “Sport News”, përballë moderatores Trevisa Tufa, Salihi analizoi këtë takimet, analizoi dy ekipet, por preku edhe shumë tema të tjera të rëndësishme:

-Salihi, të ka marrë malli për Shkodrën, për “klasiken”, çfarë do të thotë për ty kjo sfidë?

Për Shkodrën më merr malli gjithmonë, kjo është një arsye pse shkoj shpesh në Shkodër sa herë vijë në Shqipëri pasi aty kam familjen, nënën, vëllezërit. Për klasiken, sa herë vjen momenti për t’u luajtur kam nostalgji, jo vetëm unë, por çdo lojtarë që i ka provuar ato emocione. Të gjithë ne kemi që kemi provuar ato emocione, kemi dëshirë t’i rikthehemi atyre emocione.

-Pse përjetohet kaq shumë kjo sfidë në Shkodër? Çfarë ka të veçantë?

Besoj vetë historia e këtyre dy klubeve e bën këtë përballje të veçantë, rivaliteti që kanë pasur që në fillimet e tyre. Përballja e legjendave të këtyre klubeve, tifozetitë e zjarrta, janë ekipe që janë historia e futbollit shqiptar. Kjo sfidë i ka të gjithë komponentët që duhet të ketë ndeshje e këtij niveli.

-Nëse do të bënim një krahasim, kë preferon një klasike Vllaznia-Tirana, apo një derbi Partizani-Tirana?

Gjithmonë Vllaznia-Tirana. Për mua është shumë më speciale se sa një derbi

-Salihi, cili është kujtimi më i bukur që ke nga kjo ndeshje? Apo goli më bukur?

Më thënë të drejtën kam shumë kujtime të bukura. Një ndër golat më të bukur është një gol me rrafishat kundër Tiranës në Shkodër, stadiumi ishte plot. Kjo është një arsye pse Tirana pas atij goli më kërkoi gjithnjë me insistim. Ka momente shumë të bukura të tjera. Një tjetër ishte goli që shënova në Shkodër, kur isha pjesë e Tiranës, fitonim 1-0 atë ndeshje, ndërkohë që stadiumi më duartrokiste. Këto janë momente që të prekin shumë dhe të bëjnë të kuptosh shenjën e mirë që ke lënë. Edhe pse luan me një ekip kundërshtar, tifozët e ekipit ku ti je rritur, je formuar, të duan, kjo është një gjë që e kanë vetëm tifozët shkodran, është diçka shumë e veçantë

-Ke fituar gjithçka në futbollin shqiptar, por cili është pengu juaj më i madh?

Pengu më i madh do të mbetet gjithnjë fakti që nuk arrita të dilja kampion me Vllazinë, është një peng që do të ndjekë gjithnjë, por mqs i janë futur botës se treningut mbase në të ardhmen do të kem mundësinë të dal kampion si trajner. Akoma nuk kam hequr dorë nga kjo ëndërr e bukur për të dalë kampion me Vllazninë

-Kur do të vijë dita që do ta shohim Hamdi Salihin në krye të një ekipi si trajner? A ke menduar ndonjë herë të jesh trajneri i Vllaznisë, Tiranës apo i Skënderbeut, ekipe ku ke lënë gjurmë

Përderisa i kam hyrë kësaj rruge, besoj se herët apo vonë rrugët tona do të kryqëzohen. Për momentin kam angazhime të tjera, ndoshta nuk ka qenë momenti i duhur për të marrë përsipër drejtimin e një prej këtyre që t’i përmende, ose mbase edhe ndonjë ekipi tjetër. Por besoj se do të jetë e afërt dita që do të kem shansin për të drejtuar një prej këtyre ekipeve

-Në Shkodër, kanë nisur edhe një herë të ëndërrojnë titullin. Si ka mundësi, një qytet që e dashuron futbollin, një qytet që prodhon talente pafund, si ka mundësi 23 vite pa fituar një titull? E shpjegon dot?

Më thënë të drejtën është shumë e vështirë për t’u shpjeguar pasi në këto vite nuk është se nuk ka pasur ekip, ka pasur ekipe shumë të mira, trajner shumë të mirë, ka nxjerr lojtarë pa fund, por nuk e di, duhen edhe komponentët të tjerë për të dalë kampion. Ndoshta duhet edhe pak fat siç ishte tre vite më parë kur rivalizoi deri në fund. Besoja realisht se aty mund të dilnin kampion, sepse ishin edhe shumë javë të shkëputur, por siç e thashë duhet edhe pak fat. Thjesht shpresoj që të mos duhen edhe 23 vite të tjera për të dalë kampion, shpresoj që ta fitojmë shumë më shpejt, sepse e kanë merituar për gjithë atë që kanë dhënë në këto vite, për lojtarët që kanë nxjerr, për tifozët, për gjithçka, e meritojnë një trofe të tillë

-A mundet ky ekip të realizojë këtë objektiv, si e ke parë Vllazninë këtë sezon?

Ekipi u ndërtua për të synuar kupat e Evropës, u larguan disa lojtarë që kishin rroga të larta, u mundua të mos shpenzonin shumë, për t’i dhënë shanse edhe lojtarëve të akademisë. Për të qenë i sinqertë mua më pëlqen kjo gjë. Pastaj, kur duhet të bësh një proces të tillë, për ekipe si Vllaznia është pak e vështirë pasi presioni për rezultat është i lartë. U bë ndryshimi i trajnerit dhe drejtorit, që kanë ardhur me këmbë të mbarë. Objektivi për të arritur Evropën dhe për të afruar lojtar të rinj është arritur, tani besoj se ky ekip i ka shanset të synojë edhe titullin kampion, besoj se duhet ta synojnë deri në fund këtë objektiv

-Tani në Shkodër ka ardhur edhe një mik i juaji, Tefik Osmani

Është e vërtetë. Ne kemi vite që jemi tërhequr, por brezi që ne kemi luajtur bashkë tani janë një poste drejtuesve. Me Osmanin kam miqësi të afërt, më vjen mirë që po lë gjurmë në një qytet që e dashuron futbollin. Është një djalë që punon shumë fort, ka intuitë, ka guxim, nuk ka frikë të marrë përsipër, më vjen mirë që po ecën mirë, shpresoj që ta mbyll me sukses

-I ndryshëm është diskutimi te Tirana, nuk arrin kurrë të ndërtojë një cikël fitues, nuk e bën dot Tiranën e kohës tuaj, nuk bën dot as Skënderbeun e dikurshëm

Unë kam qenë gjithnjë i mendimit, se nëse ka një ekip që mund të bëjë atë që ka bërë Skënderbeu, ai ekip është Tirana. Tirana ka pasur gjithnjë lojtarë të mirë. Lojtarët e afirmuar gjithnjë kanë dëshirë të shkojnë te Tirana. Kanë një president që i qëndron afër ekipit prej vitesh, që shpenzon shumë. Tirana ka emër, ka histori, ka tifozeri, ka gjithçka duhet për ta bërë këtë. Ndonjëherë më duket sikur futen në rrugë të mirë, pastaj plani ndryshon rrugës. Më vjen keq sepse po ndërtonin diçka shumë të mirë me Shehin dhe Osmanin, por më pas gjërat nuk shkuan mirë. Tani kanë filluar një cikël të ri, shpresoj tii japin kohën e duhur, sepse gjërat duhen kohën e duhur, por Tirana i ka të gjitha mundësitë

-Si e sheh këtë sfidë të shtunën Salihi, ke sheh favorit në këtë përballje Vllaznia-Tirana?

Vllaznia është në pikun e saj, po kalon formën më të mirë nga të gjithë ekipet. Kanë fituar besim, lojtarët kanë fituar besim se mund të fitojnë kundër çdo ekipi, mund të shënojnë nga çdo pozicion. Javë pas javë shohim që lojtarë të ndryshëm po bëhen të rëndësishëm, po shënojnë gola deciziv, kjo është diçka pozitive që duhet ta shfrytëzojnë. Vllaznia është në momentin më të mirë, por në ndeshja të tilla nuk ka rëndësi as pozicioni asgjë, këto janë gjithnjë ndeshje të paparashikueshme, si në Shkodër ashtu edhe në Tiranë