Ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme. Ende nuk dihen arsyet përse ish-ministri socialist ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme. Damian Gjiknuri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme edhe më parë për fondet e rrugës Tiranë-Elbasan.
Gjithashtu emri i tij ka dalë në dosjen e inceneratorëve, ku mësohet se ka udhëtuar së bashku me ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe me biznesmenin Mirel Mërtirin, në Rumani dhe në Vjenë.
Në dosjen e SPAK specifikohet se në vendi i qëndrimit në Vjenë ishte Radisson Blu Style Hotel Viena, ndërkohë që personi që rezervoi për Ahmetajn dhe Gjiknurin ishte biznesmeni Klodian Zoto.
Por, Damian Gjiknuri ka mohuar akuzat për pagesën e hotelit në Vjenë, pasi emri i tij doli në dosjen e SPAK. Gjiknuri ka deklaruar se ai vetë ka fjetur në hotel të paguar nga ministria dhe se për udhëtimin, i gjithë dokumentacioni, përfshirë faturat, janë dorëzuar në ministri. Ai madje shtoi se dokumentacionin nuk e ka vetëm ministria, por e disponon edhe ai vetë personalisht.
“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit.
Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhër-shërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin”, tha Gjiknuri. “Referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhër-shërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar. Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse”, deklaroi Gjiknuri.