Përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kombëtare (AKCESK), së bashku me deputetë të Kuvendit shqyrtuan propozimin mbi projektligjin për Sigurinë Kibernetike, i cili sipas ekspertëve të fushës është i domosdoshëm në kushtet aktuale të sulmeve të shtuara në hapësirën kibernetike në Shqipëri.
“Sulmet kibernetike janë tashmë tejet të sofistikuara. Kapacitetet e deritanishme janë të pamjaftueshme për të garantuar një nivel të lartë sigurie në rrjetet dhe sistemet e informacionit”, tha Igli Tafa, kreu i Autoritetit Kombëtar të Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kombëtare AKCESK.
Tafa shtoi se është jetike ngritja e një kuadri ligjor në kushtet ku ndodhemi.
“Për t’iu përgjigjur sulmeve në rritje është domosdoshmëri ngritja e një kuadri ligjor bashkëkohor sipas direktiva të BE-së”, shtoi Tafa.
Projktetligji vjen si nismë e Këshillit të Ministrave në kuadër të detyrimit për përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe Planit Kombëtar të Veprimit 2020-2025.
“Kjo nismë është shumë e vlerësuar dhe e mirëpritur prej kohësh”, tha Klotilda Bushka, deputete dhe drejtuese e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Shqipëria është përballur gjatë viteve të fundit me një seri sulmesh të sofistikuara kibernetike për të cilat qeveria ka vënë gishtin mbi Republikën Islamike të Iranit.
Një raport i kompanisë “Microsoft”, e cila u thirr nga qeveria shqiptare për të ndihmuar në zmbrapsjen dhe investigimin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, thotë se arriti të gjurmojë 4 grupe sulmuesish të lidhur me shërbimet inteligjente të Iranit.
Në përgjigje të sulmeve ndaj rrjeteve qeveritare nga Teherani, Tirana zyrtare ka vendosur prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Ministria e Jashtme e Iranit e ka mohuar sulmin, i ka cilësuar akuzat e Shqipërisë si të “pabaza” dhe vendimin për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike si “dritëshkurtër”.
Kreu i AKCESK theksoi se projektligji i ri parashikon kompetenca të shtuara ligjore lidhur me sigurinë kibernetike, kapacitete të reja teknike për monitorimin e infrastrukturave si edhe simulime për të konstatuar boshllëqet në rrjet.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një strukture të re ad-hoc për menaxhimin e emergjencave që mund të çojnë në shpalljen e krizës kibernetike në nivel kombëtar.
“Kriza kibernetike përcaktohet si rasti ekstrem kur një institucion me rëndësi nuk mund të menaxhojë situatën e dalë jashtë kontrolli për shkak të sulmeve kibernetike”, shpjegoi Tafa.
Kreu i AKCESK shtoi se ndikimi social i këtij projektligji konsiston jo vetëm në përmirësimin e sigurisë kibernetike kombëtare, por gjithashtu edhe në rritjen e punësimit dhe rritjen e pagave të ekspertëve të sigurisë kibernetike.
Sipas ekspertit Tafa, vlera totale e përafërt e ndikimit të këtij ligjit në buxhetin e shtetit për pesë vite llogaritet të jetë 11.5 miliardë lek (111 milionë euro)./REPORTER.AL