Policia e Shteti ka bërë të ditur sot masat e mara, në lidhje me ruatjen e sigurisë gjatë protestës që “Rithemelimi” pritet të mbajë pasditen e nesërme në Tiranë.
Mësohet se mbi 1100 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, do të jenë në teren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Nga ana tjetër, duke qenë se pritet që protesta të jetë e dhunshme, do të ketë edhe autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
Po ashtu, siç është bërë zakon tashmë, dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, teksa përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ janë kamera me rezolucion të lartë.
Nga ana tjetër, që prej orës 15:00, e deri në përfundim të protestës, do të jenë të bllokuara një sërë aksesh rrukore, më konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.