Prokuroria e Shkodrës i ka dërguar materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit. Ky i fundit u arrestua sipas policisë shqiptare javën e kaluar në Turqi lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua.

Pritet ministria e Drejtësisë t’i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit. Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.

Më parë, Ibrahim Lici, duke folur për mediat turke, ka hedhur poshtë edhe dyshimet e ngritura ndaj tij për vrasjen e Endri Mustafes duke deklaruar se kamerat e sigurise dhe qelizat telefonike vertetojnë sipas tij se ka qenë në Tiranë në momentin e vrasjes. Ai akuzohet gjithashtu si i përfshirë në të paktën tri vrasje në qytetin e Shkodrës, përfshirë edhe vëllezërit Bilali, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit 2019. Në atë kohë, vrasja u cilësua se erdhi për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale.