Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me protestën që “Rithemelimi” pritet të mbajë pasditen e nesërme përpara Kryeministrisë, në Tiranë.

Mësohet se grupimi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka marrë leje për rreth 4-5 orë për zhvillimin e tubimit, teksa pjesëmarrësit pritet të marshojnë nga selia e Partisë Demokratike, drejt bluveardit “Dëshmorët e Kombit”.

Por a do të marrë pjesë vetë Berisha në këtë protestë? Sipas burimeve, ish-kryeministri do të mbajë fjalim para turmës, por në lidhje live online ose me regjistrim, pasi nuk mund të dalë nga shtëpia, për shkak se ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Për protestën do të angazhohen 1100 efektivë policie, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, ndërsa RENEA do të jetë në gatishmëri. Gjithashtu do të ketë dhe autobote uji, ndërsa njoftohet dhe për një kordon me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, ndërsa përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ janë instaluar kamera me rezolucion të lartë.

Dy orë para nisjes së protestës dhe deri në përfundim të saj, segmentet rrugore që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.