Kryeministri Edi Rama falënderoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për mbështetjen e SHBA-ve për Reformën në Drejtësi. Rama tha se falë kësaj reforme në Shqipëri është rrëzuar miti i ‘pandëshkueshmërisë’ të personave të lidhur me pushtetin.
“E falënderoj publikisht sekretarin amerikan për çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur e kemi thënë për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend ku nuk ka pasur kurrë drejtësi që i bënte shqiptarët të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do ishte e mundur që ligji të ishte i barabartë për të gjithë, duke na mundësuar që sot të shohim se edhe në Shqipëri si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vetë është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me qeverinë të thirren për të dhënë llogari para ligjit. Kjo është diçka peshën dhe vlerën e së cilës Shqipëria do mund ta konceptojë shumë vite më pas. Por një gjë e dimë që sot, kur nisëm përpjekjet për Reformën në Drejtësi, të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë gjenin një mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit politik. Të majtë e të djathtë e mbështesin reformën”- tha Rama.
Ai theksoi se gjatë takimit me zyrtarin e lartë amerikan ishte diskutuar edhe për thellimin e Reformës në Drejtësi. Kreu i qeverisë theksoi se angazhimi i SHBA-ve ka qenë thelbësor për suksesin e kësaj reforme, frytet e së cilës, Rama tha se vendi do t’i ndjejë pas disa vitesh.
“Nuk është sekret zoti sekretar që këtu kemi vështirësi të gjejmë konsensus edhe për orën. Por pyetjes nëse ata që mbështesin reformën në drejtësi e besonin se në jetën e tyre do shikonin njerëz të pushtetshëm para drejtësisë, shumica i përgjigjeshin me jo. Por ja ku jemi sot, ku miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Kemi shumë punë për të bërë, folëm për thellimin e reformës por nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e kësaj miqësie kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë në mbështetje për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme për të gjithë jetën”- u shpreh kreu i qeverisë.