Gjatë një konference për shtyp me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken kryeministri Edi Rama nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e kësaj vizite.
“Është gjithnjë një ditë e shënuar me një ditë të veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dita kur një sekretar i shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i gjashti por këtë herë ne kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufi të Evropës por edhe në zona të tjera dhe rrjedhimisht dhe për ngarkesën e posaçme të agjendës tuaj.”
Kreu i qeverisë nuk kurseu edhe një batutë.
“Fakti që gjetët kohë dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë por edhe e vlerësimit që i bëni kësaj miqësie këtij partneriteti dhe këtij rajoni. Nuk mund të mos e ndaj me publikun ku mes një darke në Shqipëri dhe në Mynih ju zgjodhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman por ne tonën e bëmë”.