Skuadra e DRTK Shkoder po punon për rilevimin dhe dokumentimin e Kishës së Shën Rrokut në Shirokë, objekt me rëndësi kulturore si një përpjekje e rëndësishme për të dokumentuar dhe ruajtur trashëgiminë historike të qytetit me qëllim shpallje e saj si interes kulturor.
Projekti i kishës ju besua Kolë Idromenos, arkitektit të njohur shkodran të asaj kohe. Kisha, kushtuar Shën Rrokut, me stil klasik rilindas, u realizua në 1906. Ajo u ndërtua nën kujdesin e famullitarit të Shirokës, Dom Gjon Bushatit, ndërsa kambanarja nën kujdesin e Dom Pashko Zojzit. Për ndërtimin e këtyre objekteve krahas ndihmës financiare të familjeve të pasura, ndihmuan me punë vullnetare edhe vetë shirokasit.
Kisha, sipas Gjush Sheldisë ..“ishte e bukur, simpatike dhe mjaft e madhe si ma e mira kishëz e qytetit, se ma ndër katunde nuk e ka çiftin askund..”
Në vitin 1967 mes 268 kishave të mbyllura ishte edhe ajo e Shirokës. Kisha, u shndërrua në qëndër kulture dhe magazinë. U ndërtua një soletë që e ndante kishën në dy kate dhe një shkallë lidhëse për t’u ngjitur në katin e sipërm që shërbente, si një sallon i madh për festa apo dhe mbledhje partie. Në katin e poshtëm u krijuan 8 dhoma, që shërbenin si qendër për grumbullimin e sherebelës, me të cilën është i pasur mali i Taraboshit. Kompanjeli me 4 këmbana dhe sahat, i lartë rreth 30 m u shëmb. Vetëm në 1991 kisha iu kthye komunitetit katolik të zonës.
Ndonëse nuk ka një datë themelimi në një dokument kishtar që mban datën, 31 dhjetor 1777, lë të kuptojmë, që shtëpia e famullisë e dhuruar nga familja Vladani, me financimet e Kongregacionit të Shenjtë dhe të vetë famullisë qe kthyer në formë kishe duke mbuluar tavanin sipër altarit.
Në fillim të 1900-ës shirokasit kërkuan dhe ia arritën që të ndërtohej një kishë e re, më e madhe dhe më e bukur. Kisha iu kushtua Shën Rokut, mbrojtësit të katundit, i njohur edhe si mbrojtës i njerëzimit kundër epidemive të murtajës. Shiroka ishte prekur disa herë nga murtaja. Në librin e të vdekurve të Shirokës të viteve 1802, 1803, 1804 dhe 1819, 1821 shënohen emrat e personave të vdekur nga kjo sëmundje.